Sekretari organizativ i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka reaguar pas takimit të kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
Gjoshi thotë se ushtruesja e detyrës së Presidentes, përveç shpalljes së datës së zgjedhjeve, duhet të nënshkruajë edhe dekretin për emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së në KQZ, njofton Dukagjini.
Mes tjerash, ai paralajmëroi se mosemërimi i përfaqësuesit të dytë të PDK-së do të përbënte shkelje të Kushtetutës dhe do të cenonte përfaqësimin opozitar në institucionin që menaxhon procesin zgjedhor.
“Mosemërimi i përfaqësuesit të PDK-së do të ishte shkelje e Kushtetutës së Kosovës, por edhe dëmtim i përfaqësimit opozitar në institucionin e zgjedhjeve dhe rrezikim i legjitimitetit të zgjedhjeve. Zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk janë mbajtur për KQZ, por për Kuvendin e Kosovës, në të cilin kanë arritur të hyjnë 4 grupe parlamentare. Andaj, në rrethana të tilla, meqenëse pas këtyre zgjedhjeve në Kuvend ishin vetëm 4 grupe parlamentare shqiptare, pra në mungesë të numrit të mjaftueshëm prej 6 grupeve, anëtarët shtesë emërohen nga grupet më të mëdha parlamentare, që në këtë rast janë Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës”, ka shkruar Gjoshi.
Tutje, siç thotë ai, vendi ka nevojë për zgjedhje të lira, të drejta dhe të pranueshme për të gjithë akterët politikë dhe qytetarët, duke paralajmëruar se çdo devijim nga rregullat kushtetuese mund të vërë në pikëpyetje legjitimitetin e procesit zgjedhor.