Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në seancën plenare të së hënës, ka kërkuar shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, e cila ka theksuar se anëtarët e bordit të RTK-së janë përgjegjës kryesor për nënshtrimin e RTK-së ndaj partisë në pushtet.

“Si deputetë të Grupit Parlamentar të PDK-së, propozues të këtij debati dhe këtij mocioni, kërkojmë shkarkimin e anëtarëve të Bordit të RTK-së të cilët mbajnë përgjegjësin kryesore për nënshtrimin e RTK-së ndaj partisë në pushtet duke u bërë zëri i propagandës së tyre e cila tashëm kontrollohet dhe i shërben edhe agjendave politike kundër kundërshtarëve politik apo atyre mediatik”, ka deklaruar Hoxha në seancën e Kuvendit.

Gjithashtu, ajo ka thënë se edhe procesi i ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm të sapozgjedhur është i paligjshëm.

“Përveç shkeljeve në këtë skandal televiziv e për të cilit mund të angazhohet edhe prokuroria kompetente, konsiderojmë se duhet marrë masa për shkarkimin e individual për secilin anëtarë të bordit të RTK-së, pasi të njëjtit dështuan për ta mbrojtur RTK-në dhe standardet dhe kredibilietin e gazetarisë.

Së fundi edhe procesi i ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm i zgjedhur rishtazi është jashtëligjshëm ngase ka kaluar më gjashtë vota dhe jo dy të tretën e votave që do të  duhej bazuar në ligjin për RTK-në”, është shprehur ajo.

Sipas saj, RTK-ja duhet të orientohet te programet e saj me të mira, te zhvillimi i përgjithshëm, ashtu siç specifikohen parimet e saj me ligj.