PDK: Kurti dikur premtonte kthimin e trurit, tani po merr vendime pa tru

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, në një konferencë për media ka theksuar se kryeministri Kurti po i shpall luftë mësimdhënësve, sepse, sipas saj, "ai nuk do dialog social, por nënshtrim"

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti për t’i lënë nxënësit pa mësim dhe mësimdhënësit e shërbyesit civilë pa paga.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, në një konferencë për media ka theksuar se kryeministri Kurti që dikur premtonte kthimin e trurit në Kosovë, tani po merr vendime pa tru, “duke u shpallur luftë mësimdhënësve, sepse ai nuk do dialog social, por nënshtrim”.

“Albin Kurti, Hekuran Murati dhe Arbërie Nagavci sot i kanë lënë fëmijët e Kosovës pa shkuar në shkollë. Sot ishte dashur të ishte ditë feste në gjithë Kosovën, e sidomos për fëmijët që nisin klasën e parë e që shkëlqimin e syve të tyre sot nuk e panë as prindërit e tyre. Sepse, Albin Kurti që dikur premtonte kthimin e trurit në Kosovë, sot po merr vendime pa tru. Albin Kurti u ka shpallur luftë mësimdhënësve duke i lënë pa paga, sepse janë në grevë dhe duke e prekur kështu në themel mirëqenien e tyre edhe ashtu solide e të rënduar”, ka thënë ajo.

Deputetja Hoxha teksa ka përmendur përurimin e Abetares së përbashkët midis Kosovës dhe Shqipërisë, ka thënë se ministrja e MASHTI-t “në vend se të ishte me mësimdhënës e nxënës në ndonjë shkollë duke e festuar fillimin e vitit të ri shkollor, ajo promovon Abetaren e përbashkët me Shqipërinë në një ditë kur shkollat janë të mbyllura”.

“Pra, si ka mundësi që fokusi i kësaj qeverie është vetëm te nxënësit, ndërsa mësimdhënësit janë të përjashtuar nga harta e interesit institucional. Mbi 340,000 fëmijë sot janë jashtë bankave shkollore. Mbi 80,00 familje e kanë mirëqenien e rënduar për shkak të ndalesës së pagave të anëtarëve të tyre”, shtoi ajo.

Hoxha ka thënë se Kosova është në terr energjetik dhe edukativ, si rezultat i mendjeve të errësuara të Qeverisë Kurti.

“Sot jemi në terr energjetik. Sot jemi në terr edukativ. Dhe krejt kjo është rezultat i mendjeve të errësuara të kësaj qeverie”, theksoi ajo.

Ndërkaq, koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, Arben Mustafa, ka thënë se Kosova po kalon nëpër një krizë të rëndë ekonomike, për shkak të paaftësisë së Qeverisë Kurti, e cila është dorëzuar para këtyre vështirësive.

Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, Arben Mustafa

Sipas tij, gjatë kësaj periudhe, rritje domethënëse të të hyrave ka shënuar vetëm Qeveria, kryesisht si rrjedhojë e rritjes së çmimeve, të cilat po zhvlerësohen çdo ditë nga inflacioni.

“Refuzimi i Qeverisë së Kosovës për të ndërmarrë masat e duhura për zbutjen e rritjes së çmimeve, duke i shpërfillur në tërësi kostot e pritura për ekonominë dhe qytetarët, krijoi kushtet për një eskalim të normës së inflacionit, e cila në muajin korrik 2022 ka arritur në 14.2 për qind. Për produktet ushqimore, norma e inflacionit qëndron edhe më keq duke treguar për një rritje të çmimeve të ushqimeve për 22.1 për qind, përderisa për produkte të ndryshme esenciale siç janë buka dhe vaji, norma vjetore e inflacionit ka arritur në rreth 40 përkatësisht 80 për qind”, theksoi Mustafa.

Ai tha se krizën po e thellojnë edhe reduktimet e energjisë elektrike, të cilat më së shumti po i dëmtojnë bizneset prodhuese, e me këtë rrjedhimisht edhe qytetarët.

Shija e redaktorit

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Të fundit nga rubrika