PDK: Mafia energjetike po lulëzon nga zvarritja e krijimit të institucioneve
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti në detyrë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për herë të tretë brenda një mandati. Shala, ka deklaruar se zvarritja e krijimit të institucioneve po i hap rrugë mafias energjetike që të përfitojë në kurriz të qytetarëve. Në një konferencë për media, ai e […]
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti në detyrë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për herë të tretë brenda një mandati.
Shala, ka deklaruar se zvarritja e krijimit të institucioneve po i hap rrugë mafias energjetike që të përfitojë në kurriz të qytetarëve.
Në një konferencë për media, ai e quajti vendimin për rritjen e tarifave selektiv dhe diskriminues, që godet drejtpërdrejt konsumatorët shqiptarë.
“Kjo qeveri premtonte ulje çmimesh dhe kontroll publik, por sot kemi fitime të garantuara për kompanitë private si KEDS, KESCO, GEN dhe NOA. Qytetari paguan më shumë, ndërsa qeveria është kthyer në lobuese të aferave korruptive”, ka theksuar Shala.
Ai ka shtuar se importi i rrymës po bëhet me çmime 100% më të larta se bursat ndërkombëtare, ndërsa bizneset po përballen me oferta 225% më të shtrenjta.
Shala përmendi rastin e mbylljes së Feronikelit dhe rënien e prodhimit në KEK, duke akuzuar institucionet si KOSTT dhe ZRRE për mbrojtje të qeverisë dhe heshtje ndaj aferave korruptive.
Ai ka bërë thirrje drejtësisë të hetojë gjithë sektorin energjetik.
Shala paralajmëroi se pas formimit të Kuvendit të ri, PDK do të kërkojë hetim parlamentar për këtë çështje dhe do të mbrojë interesin qytetar në çdo instancë.















