Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka alarmuar për rritje të shpejtë të çmimeve të produkteve bazike, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të bllokojë Kuvendin dhe të mbajë të uzurpuar pushtetin qeveritar.

Në një konferencë për media, Mustafa tha se të dhënat e muajit prill tregojnë për rritje dyshifrore të çmimeve të produkteve si mishi, vajrat, pemët, kafeja dhe çaji, me rritje prej 10 deri në 16.4%.

Ai theksoi se në të njëjtën kohë punëtorët, pensionistët dhe kategoritë sociale nuk po përfitojnë rritje të të ardhurave, duke e bërë jetesën më të vështirë për familjet kosovare.

Mustafa theksoi se ekonomia po përballet me përkeqësim të deficitit tregtar, që në tremujorin e parë arriti në 1.4 miliardë euro, si rezultat i rënies së eksporteve dhe rritjes së importeve.

Ai kritikoi vendimin për të futur bizneset në tregun e hapur të energjisë pa masa paraprake, duke paralajmëruar rritje deri në 260% të shpenzimeve për energji për bizneset e mëdha, që mund të çojë në mbyllje biznese dhe humbje të vendeve të punës.

“Kjo qeveri po e godet rëndë sektorin privat dhe me këtë po prek shtyllën kryesore të punësimit dhe të ardhurave për familjet kosovare”, theksoi Mustafa.

Ai akuzoi kryeministrin në detyrë Albin Kurtin për mosveprim në zhbllokimin e institucioneve, duke thënë se çdo ditë bllokadë rëndon mbi të ardhmen e Kosovës dhe jetën e qytetarëve.