Analisti politik Sadri Ramabaja ka komentuar dorëheqjen e Memli Krasniqit nga drejtimi i PDK-së, duke e konsideruar këtë një mundësi për rishikimin e pozicionimit të partisë.
Ai ka theksuar se PDK nuk ka nevojë për oligarkë, administratorë apo figura që nuk kanë ndikim ideologjik, duke përmendur se Bedri Hamza nuk e përmbush këtë rol.
“Në këtë kuadër kjo dorëheqje mendoj se është një mundësi, sepse çdo krizë krijon hapësira. Mundësi e re që të rishkojë pozicionimin vet. Asaj as nuk i duhen oligarkë në udhëheqje e as në prapavijë e as administratorë, asaj i duhet. Bedri Hamza nuk është i duhuri është thjesht një administrator i rëndomtë nuk i kalon kufijtë e një administratori”, ka deklaruar Ramabaja në Debat Plus.
Sipas Ramabajës, për ta rikëndellur dhe reformuar PDK-në, dy figura të përshtatshme janë Bardhyl Mahmuti ose Genc Prelvukaj, nëse do të gjenin mbështetjen e njerëzve të fuqishëm realë brenda partisë.
Ai ka shtuar se marrëveshja për këtë vendim duhet të sigurohet nga Sami Lushtaku, Elmir Reçica dhe Xhavit Haliti, në mënyrë që PDK të mund të kthehet si një parti e djathtë reale.
“PDK ka nevojë për një politikë të mirëfilltë, me një mendim politik të art, dhe në pikëpamjen time janë dy figura që mund ta rikëndellin dhe ta reformojnë, ata janë Bardhyl Mahmuti ose Genc Prelvukaj. Këto dy figura në rast se do gjenin mbështetjen e njerëzve të fuqishëm real në PDK, po flas për njerëz që kanë mendim politik, dhe dinë të artikulohen qartë edhe në rrafshin ideologjik”, ka deklaruar Ramabaja në Debat Plus.