PDK paralajmëron kallëzim penal ndaj Qeverisë për menaxhimin e krizës energjetike
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se partia e tij është duke përgatitur kallëzim penal në lidhje me gjetjet e komisionit hetimor parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike në vend. Ai ka thënë se ky komision ka arritur të gjejë shkelje të ndryshme për mënyrën se si është menaxhuar […]
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se partia e tij është duke përgatitur kallëzim penal në lidhje me gjetjet e komisionit hetimor parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike në vend.
Ai ka thënë se ky komision ka arritur të gjejë shkelje të ndryshme për mënyrën se si është menaxhuar kriza energjetike.
Tahiri është shprehur se komisioni ka vërejtur vepra penale në kohën e krizës energjetike.
“Ne do ta trajtojmë raportin e komisionit hetimor parlamentar të menaxhimit të krizës energjetike, ka gjetje për menaxhimin e krizës energjetike. Si PDK jemi duke përgatitur një kallëzim penal për gjetjet e raportit, në momentit e miratimit apo miratimit, PDK është duke përgatitur kallëzim penal për ta dërguar në prokurorinë speciale”, ka thënë ai.
Tahiri njoftoi se në seancat e radhës do të diskutohet edhe për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, për të cilin tha se ka dyshime të bazuara se ka shpërlarë para.
Ai tha se PDK dyshon që Berishaj me një pjesë të parave e ka financuar edhe fushatën zgjedhore të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani.
Ai i ka akuzuar këta të fundit për pengim të drejtësisë.
“Hetimin është duke e penguar Kurti, Osmani, Gërvalla. Po e mbrojnë një person që ka shpërlarë para. Ka supozime që me këto 3 milionë euro është financuar fushata e Osmanit dhe Kurtit, por nuk kemi fakte ende për këtë gjë. Kurti dhe Osmani refuzojnë ta shkarkojnë një ambasador të tillë, neve na shtohen dyshimet”, ka thënë ai.
Tahiri pati kritika edhe për punën e Kuvendit, duke thënë se legjislatura aktuale është duke u karakterizuar me kaos parlamentar.
Ai bëri të ditur se janë rreth 50 pika të pambyllura të seancave të vitit të kaluar.















