PDK propozon shfuqizimin e rivlerësimit për tatimin në pronë

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar shfuqizimin e menjëhershëm të rivlerësimit mbi tatimin në pronë dhe aplikimin e faturave që kanë qenë në vitin 2022

Arben Mustafa dhe Ferat Shala në konferencë për media

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar shfuqizimin e rivlerësimit për tatimin në pronë, duke njoftuar se të martën do të propozojë amandamentimin e ligjit aktual për tatimin në pronën e paluajtshme.

Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, Arben Mustafa, në një konferencë për media, së bashku me deputetin Ferat Shala, ka thënë se veprimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për t’i shtrenjtuar faturat e tatimit në pronë “shpërfaq mungesën e konsideratës për vështirësitë, me të cilat, po ballafaqohen qytetarët e Kosovës si pasojë e krizës ekonomike”.

“Qeveria e Kosovës po e zhyt vendin nga kriza në krizë, ndërsa për të gjitha krizat e ka pothuajse përgjigjen e njëjtë, shpërndarjen e 100 eurove që tashmë po paraqesin instrumentin më të dalluar të politikëbërjes ekonomike të kësaj qeverie, e të cilat në asnjë rast nuk kanë arritur t’i adresojnë nevojat e qytetarëve”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, kjo mbështetje e propozuar madje nuk ka as bazë ligjore, gjë që krijon evidencë shtesë se kjo Qeveri po bën politikë shkeleshko, pa e kuptuar rëndësinë e veprimeve të veta dhe pa një plan serioz se ku dëshiron të arrijë.

“Ky veprim si dhe veprimet tjera janë përpjekje për t’i mbuluar skandalet e njëpasnjëshme, e sidomos skandalin rajonal te korrupsionit shumë milionësh, të ambasadorit Martin Berishaj”, ka vijuar ai.

Ai ka theksuar se PDK kërkon shfuqizimin e menjëhershëm të rivlerësimit mbi tatimin në pronë dhe aplikimin e faturave që kanë qenë në vitin 2022.

Ndërsa, deputeti Ferat Shala ka thënë se PDK ka një propozim për amendamentimin e ligjit aktual për tatimin në pronën e paluajtshme, të cilin do ta dorëzojë sot në Kuvendin e Kosovës.

“Si Grup Parlamentar i PDK-së që nga nesër do të ndërmarrim nismën ligjore për amadamentimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme”, ka thënë ai.

Deputeti Shala ka theksuar se pas miratimit të këtij amendamenti, PDK propozon të hapet një debat për të rishikuar në detaje këtë ligj.

“Ky veprim juridik do të duhej të përfshinte: Normën tatimore, me mundësinë për të ulur kufirin e poshtëm të normës tatimore; Zonimin dhe nënzonimin sipas legjislacionit në fuqi; Kriteret dhe metodologjia e vlerësimit të pronave të përcaktohet me ligj. Të gjitha këto duhet të bëhen pasi të miratohet amendamenti i propozuar që i lë në fuqi normën tatimore ose lartësinë e tatimit, siç ka qenë para rritjes së fundit”, ka vijuar ai.

Ndryshe, ministri i Financave, Hekuran Murati, në Komisionin Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka theksuar sërish se Qeveria është e gatshme që në kuadër të ligjit të ri në të cilin po punon, t’i trajtojë edhe faturat e tatimit në pronë për vitin aktual.

Ministri Murati ka sugjeruar që komunat të japin nga 100 euro për secilin tatimpagues për pronë këtë vit.

E kjo kërkesë e tij ka shkaktuar polemika të shumta me deputetë të opozitës, të cilët i thanë se nuk është propozim serioz, të cilin e kanë konsideruar si “pazar”.

Sipas Muratit, faturat e tatimit në pronë janë të hyra të komunave, prandaj u takon atyre të tregojnë se çka duan të bëjnë.

Murati sugjeron që komunat t’ua falin 100 eurot e para secilit tatimpagues, opozita e kundërshton

 

Shija e redaktorit

Konkursi për gradimin e policëve – “Të fortët” e Policisë...

Konkursi për gradim të policëve nga “Polic i lartë” në “Rreshter” u mbajt më 4 maj, dhe siç nënkuptohet edhe atë ditë do të...

Trepça triumfon në finalen e parë me rikthim ndaj Yllit

Finalja e parë e “Play-off”-it i ka takuar Trepçës. Mitrovicasit edhe pse ishin duke humbur me 13 pikë dallim, të përkrahur nga tifozët kanë...

Kamberi: Pas Malit të Zi edhe Maqedonia e Veriut po...

Analisti politik, Belgzim Kamberi, ka thënë se fitorja bindëse e VMRO-DPMNE-së, nuk është lajm i mirë për Ballkanin Perëndimor dhe as për Bashkimin Evropian...

Të fundit nga rubrika