PDK shkëput koalicionin me LDK-në në Prishtinë
Kryetari i Degës së PDK-së në Prishtinë, Uran Ismaili, ka bërë të ditur se nuk do të jenë pjesë më e koalicionit me LDK-në në Prishtinë. Ismaili ka theksuar se për këtë e ka informuar kryetarin e kryeqytetit, Përparim Ramë, dhe se drejtorët e drejtorive komunale dhe aksionarët e PDK-së kanë dhënë dorëheqje nga postet […]
Kryetari i Degës së PDK-së në Prishtinë, Uran Ismaili, ka bërë të ditur se nuk do të jenë pjesë më e koalicionit me LDK-në në Prishtinë.
Ismaili ka theksuar se për këtë e ka informuar kryetarin e kryeqytetit, Përparim Ramë, dhe se drejtorët e drejtorive komunale dhe aksionarët e PDK-së kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre.
“Sapo dërgova shkresën zyrtare te Përparim Rama për të komunikuar vendimin për shkëputjen e koalicionit qeverisës në Prishtinë. Drejtorët e drejtorive komunale dhe aksionerët e PDK-së në ndërmarrje publike kanë dhënë dorëheqjet e tyre.
Për dy vjet shërbim, ekipi i PDK-së solli një dinamikë të re në kryeqytet dhe ka bërë punë të jashtëzakonshme në secilin dikaster. Nën udhëheqjen e shkëlqyer të nënkryetares Sahatçiu, Drejtoritë e udhëhequra nga PDK janë vlerësuar si Drejtoritë me performancën më të mirë, brenda dhe jashtë. Gjallërinë, sinqeritetin, pozitivitetin dhe dinamikën që e kishim në fushatën tonë ‘Prishtina na Bashkon’ e kemi përçuar edhe në qeverisjen e kryeqytetit dhe qytetarët janë dëshmitarët më të mirë për këtë gjë”, ka shkruar Ismaili, duke shtuar se nuk do të jenë pjesë e një qeverisje që “dëmton’ interesin publik.
“Ne nuk do të jemi pjesë e një qeverisjeje që dëmton interesin publik, ku mungon komunikimi, ku puna e mirë nuk vlerësohet dhe meritokracia përbuzet. Duke mos dashur asnjëherë që Prishtina të bllokohet, jemi tërhequr nga të gjitha pozitat për të hapur rrugë për krijimin e një shumice të re në kryeqytet”, ka shtuar Ismaili.
Shkëputja e koalicionit erdhi pas shfuqizimit të vendimit për shkëmbimin e pronës private në Badoc me pronën publike komunale në zonën e “Prishtina e Re”.
“Pasi shfuqizuam vendimin për Badoc, shkëpusim koalicionin qeverisës në Prishtinë”, ka shtuar ai.
















