Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, nuk do të vazhdojnë të qëndrojnë në sallën e Kuvendit të Kosovës ku do të shqyrtohen disa pika të rendit të ditës.
Kjo për shkak të moskalimit të mocionit të tyre që paraprakisht kërkuan që në rend të parë të ditës të vendoset raportimi i ministres së zhvillimit ekonomik mbi arrestimet që kanë ndodhur të mërkurën në Korporatën Energjetike të Kosovës.
Kështu ka thënë Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, gjatë seancës.
“Si grup parlamentar i PDK-së pas deklarimit jashtë rendit të ditës nuk do të vazhdojmë të qëndrojmë në seancë sepse është e pakuptimtë që të vazhdojmë debatin në çështje të tjera përderisa neve si opozitë na mohohet e drejta fundamentale për një debat parlamentar për arrestimet e djeshme”, tha ai.
Ky mocion nuk ka kaluar pasi që në sallën e seancës nga 77 deputetë sa ishin gjithsej prezentë, 32 prej tyre kanë votuar pro kurse 45 kundër.
Por, Tahiri ka njoftuar se tashmë si parti kanë përgatitur një dosje për ta dorëzuar në prokurori, për shkeljet që PDK pretendon që i ka bërë kryeshefi i KEK-ut
“Si grup Parlamentar i PDK-së, bazuar në pikën 94 të shqyrtimi i ceshtjeve urgjente kërkojmë të vendoset si pikë e parë e rendit të ditës raportimi i ministres së zhvillimit ekonomik mbi arrestimet që kanë ndodhur dje në KEK. E dimë që KEK-u drejtohet nga një bord i emëruar nga Qeveria e Kosovës. Ky bord e ka emëruar një kryeshef i cili ka qenë zyrtar i LVV-së dhe dje një zyrtar i tillë është arrestuar”.
“Si grup parlamentar i kemi ngrit shqetësimet tona rreth abuzimeve që kanë ndodhur dhekeqmenaxhimin e krizës energjetike në Kosovë. Kemi themeluar një komision hetimor ku tashmë kemi përgatitur edhe një dosje për ta dorëzuar në prokurori, për shkeljet që i ka bërë pikërisht kryeshefi i KEK-ut”, tha ai.
Ai ka theksuar se “kemi parë që aty ka ndodhur një abuzim i madh prej subvencionimit të tarifave, tenderave një burimor dhe shumë çështje të tjera që lidhen edhe me punësime dhe që emri i këtyre keqpërdorimeve është pikërisht kryeshefi i KEK-ut”.