“Një gjë është e sigurt, ai [Paris Guri] do të gjendet prapa grilave” – kështu është shprehur ministri në detyrë, Faton Peci, pas akuzave që deputeti i LDK-së ka ngritur ndaj tij.

Peci ka theksuar se ka dorëzuar prova në Prokurori që, sipas tij, dëshmojnë se Guri ka kryer katër vepra penale, përfshirë tentim për të inskenuar ryshfet në bujqësi.

“Unë e di që ai që ka bërë fyerje të tillë është konsumues i katër veprave penale, për çka kam deponuar në Prokurori dëshmitë me prova, sms, ku ka edhe dëshmitarë që ai ka dashur të inskenojë që përkrahja në bujqësi është bërë me ryshfet…24 orë [i gatshëm të dëshmoj para prokurorisë], edhe për disa pretendime të fundit, gjatë javës do t’i japim të gjitha shpjegimet, kam me i shkoklu edhe me i demantu shumë keq, ashtu siç kam bërë gjatë mandatit ”, ka deklaruar Peci.

Peci, ka reaguar edhe ndaj disa raportimeve të gazetarit Lirim Mehmetaj, duke paralajmëruar se do t’i demantojë fuqishëm ato pretendime.

Ai ka shtuar se gjatë javës do të japë të gjitha sqarimet për pretendimet e fundit, duke theksuar se si ministër ka qenë gjithmonë pranë bujqve.

Sa i përket seancës konstituive të Kuvendit, Peci ka theksuar se “kemi hyrë në një cikël ku për respektim të vullnetit të deputetëve po kërkojmë votim të fshehtë.

“Nëse arrijmë shumicën e kërkuar, atëherë do të vendoset edhe emri”, ka deklaruar ai.