Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka kundërshtuar protestën e paralajmëruar nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, më 1 shtator para Qeverisë së Kosovës.
Peci i ka kërkuar Ramës që të mos flasë në emër të të gjithë kryetarëve të komunave, duke theksuar se ai dhe Mitrovica nuk do të jenë pjesë e kësaj proteste.
“Jo në emrin tim dhe të Mitrovicës, Përparim!”, ka shkruar Peci.
Ai ka thënë se e kupton qëndrimin e Ramës ndaj Qeverisë, por ka kundërshtuar, siç është shprehur, përpjekjen për ta paraqitur protestën si qëndrim të përbashkët të të gjithë kryetarëve të komunave.
“E kuptoj tendencën tënde për të luajtur rolin e liderit opozitar karshi Qeverisë, por nuk kam mirëkuptim karshi tendencës të flasësh në emër të të gjithë kryetarëve të komunave, e aq më pak të Mitrovicës”, ka deklaruar Peci.
Sipas tij, një përplasje e komunave me Qeverinë do ta dëmtonte interesin publik dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.
“Ata që i paskan shkaktuar 334 milionë euro dëm (nëse po flisni për kontratën kolektive) i ke në tavolinë, po ti s’e di kontekstin institucional dhe politik në vend, dhe për këtë dëm prej qindra milionë eurosh askush nuk është ftuar as në intervistim, as për të dhënë shpjegim”, ka shkruar Peci.