Peci: Votimi i fshehtë, mënyra më e mirë për të dalë nga ngërçi në Kuvend
Faton Peci, deputet dhe njëherësh ministër në detyrë i Bujqësisë, para fillimit të vazhdimit të seancës së 14-të konstituive të Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se për Lëvizjen Vetëvendosje dhe partinë e tij Guxo është i rëndësishëm vullneti i secilit deputet, prandaj kanë propozuar votimin e fshehtë si mënyrë për të dalë nga situata e […]
Faton Peci, deputet dhe njëherësh ministër në detyrë i Bujqësisë, para fillimit të vazhdimit të seancës së 14-të konstituive të Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se për Lëvizjen Vetëvendosje dhe partinë e tij Guxo është i rëndësishëm vullneti i secilit deputet, prandaj kanë propozuar votimin e fshehtë si mënyrë për të dalë nga situata e krijuar.
“Në këto rrethana, në rast se do të dështonte një votim i fshehtë, do të shtohet nevoja të shihen modalitete të tjera”, ka thënë ai.
Peci i është referuar deklarimit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, i cili kishte theksuar më herët se posti i kryetarit të Kuvendit i takon Vetëvendosjes, por se nuk zhvillohen negociata për zgjedhjen e tij, por vetëm për formimin e qeverisë.
Ai ka shtuar se nëse dikush ka folur në emër të të tjerëve, përkatësisht deputetëve, atë e kanë bërë partitë opozitare, e jo Kurti.
“Janë partitë opozitare që dëshirojnë të përzgjedhin emrin brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Sa i përket emrit… mund të them se nuk është problem emri. Kështu që, emri i përveçëm në këtë rast – Albulena Haxhiu – nuk është problemi. Problemi është diku tjetër”, ka përfunduar Peci.















