Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka shprehur mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Kosovën gjatë vizitës së ministrit të ri të Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, në Tiranë.
Kjo vizitë nga ana e tij është vlerësuar si një shenjë e rëndësisë së marrëdhënieve strategjike mes dy shteteve shqiptare.
Ministri Peleshi ka theksuar se Shqipëria do të vazhdojë të ofrojë mbështetje të pandërprerë ndaj Kosovës në arenën ndërkombëtare, në të gjitha nismat rajonale dhe në rrugën e integrimit të Kosovës në strukturat euroatlantike.
“Me ministrin e ri të Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, i cili vizitën e tij të parë e zhvilloi në Tiranë. Shenjë e rëndësisë së marrëdhënieve strategjike mes dy shteteve tona shqiptare. Shqipëria do të vijojë pa u ndalur mbështetjen ndaj Kosovës në arenën ndërkombëtare, në të gjitha nismat rajonale dhe rrugën e integrimit në strukturat euroatlantike”, ka shkruar Peleshi në Facebook.
Gjithashtu, ai është shprehur se përpjekjet për të gjetur fusha të reja bashkëpunimi mes dy vendeve do të intensifikohen në interesin e përbashkët të tyre.