Për 1 qershor, fëmijëve të Shtimes iu shfaq film me përmbajtje të dhunshme

Është folur jo rrallëherë për efektet e ekspozimit të fëmijëve ndaj pamjeve të dhunshme. Megjithatë, një film i kësaj natyre u është shfaqur fëmijëve të Shtimes, derisa për rastin nuk është dhënë asnjë përgjigje nga Drejtoria e Arsimit

Ilustrim

Të enjten e 1 Qershorit, në Ditën Ndërkombëtare të fëmijëve, Drejtoria e Arsimit në komunën e Shtimes u ka transmetuar filmin “Balonat” fëmijëve të klasës së parë dhe të dytë. Mirëpo, ky film përmban pamje të dhunshme, atë të një plagosjeje të një vajze të mitur, gjë për të cilën prindërit e fëmijëve kishin shfaqur shqetësime për këtë.

Skena nis në minutën 50:28, me ç’rast, shfaqen një djalë dhe një vajzë, fëmijë, duke valëvitur balonën në ajër. E njëjta më pas përcillet me një oficer, i cili heq armën nga brezi dhe ua drejton fëmijëve. I njëjti edhe qëllon. Gjersa balonën e merr ajri, pamjet tregojnë vajzën e qëlluar në gjoks dhe plagën nga arma.

Se cila ishte arsyeja e kësaj përzgjedhjeje, Portali Dukagjini ka kontaktuar me drejtoreshën e DKA-së në Shtime, Yllka Fejzullahun, mirëpo nga e njëjta, edhe pse u premtua përgjigje, nuk është përgjigjjur deri në momentin e publikimit të artikullit.

Megjithatë, Portali Dukagjini mori një përgjigje nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila tha se nuk është e informuar për rastin specifik, mirëpo tha se fëmijët po ballafaqohen me materiale të ndjeshme.

“Çështja e adresimit të sigurisë në shkollat tona është një nga prioritetet, nuk e di specifikisht për këtë rast. Jemi të vetëdijshëm që fëmijët tanë ballafaqohen me lloj-lloj informatash, me materiale që janë lehtë të qasshme që nuk janë të përshtatshme për moshën e tyre. Së fundmi, ne kemi pasur një angazhim sa i përket çështjes së edukimit mediatik dhe sigurisë së fëmijëve në internet”.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci

”Vitin e kaluar kishim një ngjarje bashkë me Doku Festin, me përkrahjen e OSBE-së, për edukimin mediatik. Në sistemin e arsimit kjo temë trajtohet në mënyrë interdiciplinare, pra, nuk është si një lëndë e veçantë, por në kuadër të lëndëve të ndryshme. Sigurisht pas parasysh moshën e fëmijëve, dizanojmë materiet që ju prezantohet që punohet, ka shkolla ku ekziston si lëndë e veçantë, si lëndë zgjedhore”, ka thënë Nagavci, në emisionin “Radar” të Radio Dukagjini.

Se çfarë ndikimi psikologjik mund të ketë tek fëmijët, psikologu Imri Zabeli thotë se skena të tilla iu japin ndjenjën e pasigurisë dhe jo vetëm.

“Ekspozimi i fëmijëve ndaj mediave/filmave me pamje të vrasjeve ndikon në rritjen e frikës dhe ankthit të fëmijës, duke u bazuar në vështirësinë që mund të ketë fëmija në dallimin e atyre skenave me mjedisin e vërtetë të jetës, gjë që i bën fëmijët të ndjehen të pasigurtë, si në familje ashtu edhe në mjediset sociale. Ekspozimi i shpeshtë i fëmijëve ndaj filmave me skena të vrasjeve gjithashtu ka potencial të ndikojë në rritjen e tolerancës së fëmijëve ndaj këtyre skenave dhe tendencës për t’i konsideruar këto skena si normale edhe në jetën reale, që mund të manifestohet në rritjen e sjelljeve agresive te fëmijët”, ka treguar ai.

Tutje, sipas tij, të njëjtat mund të ndikojnë në shfaqjen e çrregullimeve të aktiviteteve të përditshme.

“Çrregullimet më të zakonshme që mund t’i hasin fëmijët që i ekspozohen mediave/filmave me skena dhunë/vrasje janë çrregullimet e ankthit, problemet e gjumit, vështirësi në të nxënë dhe vështirësi në marrëdhënie sociale”, thotë psikologu Zabeli.

Se çfarë fi8lmash duhet të shohin fëmijët, ai tregon se filmat për moshën deri në 3 vjeç duhet të jenë filma që promovojnë komunikimin dhe bashkëpunimin, sjelljet afirmativë dhe dashamirëse, filmat për moshën 3-6 vjeç duhet të jenë filma që promovojnë tolerancën ndaj tjetrit, filmat për moshën 7-12 duhet të jenë filma që i vetëdijesojnë fëmijët për sigurinë e tyre në mjediset sociale (shkollë, komunitet) dhe filma për moshën 13-18 duhet të jenë, ndër të tjera, me theks në njohjen me krizat e adoleshencës, potencialet, mundësit, sfidat dhe rreziqet që sjell kjo moshë.

Pamjet e tilla për fëmijët e moshave të vogla janë shqetësuese ka thënë sociologu, Jeton Brajshori.

Jeton Brajshori, sociolog
Jeton Brajshori, sociolog

Në një përgjigje për Portalin Dukagjinin, Brajshori ka deklaruar se veprime të tilla janë të dëmshme dhe nuk duhet përsëritur më. Sipas tij, veprime të tilla mund të ndikojnë në raportet e tyre me shoqërinë.

“Është shqetësuese se pse është shfaqur një film i tillë, i cili nuk përkon fare me kohën në të cilën jetojmë dhe me sistemin në të cilin është bazuar filmi. Fëmijët në ditën e tyre duhen të jenë të hareshëm dhe mos të traumatizohen me filma të tillë. Ka shumë filma të tjerë të cilët i bëjnë fëmijët të ndihen mirë dhe t’i imitojnë personazhet e tyre”.

”Ky veprim është shumë i dëmshëm dhe duhet pasur kujdes në të ardhmen që të mos përsëriten gabime të tilla”, ka thënë ai, gjersa ka theksuar se “Fëmijët në moshën e tyre të re janë edhe shumë të brishtë dhe preken lehtë. Të shohin plagosjen e një vajze duke lozur me balona është shumë e rëndë dhe ndikon shumë edhe në aspektin psikologjik duke mos e ndier veten rehat, dhe nga skenat e para mund që të shkaktojë edhe ankth dhe pasiguri tek vetja dhe tek të tjerët, pra edhe shoqërinë e vet fillon ta marrë me rezerva”, ka thënë Brajshori.

Tutje, Brajshori vlerëson se një formë e tillë e të rriturit të fëmijëve nuk duhet aplikuar, gjersa thekson se ajo ndikon drejtpërsëdrejti në personalitetin e tyre.

“E ardhmja e kësaj shoqërie janë fëmijët. Ne e kemi obligim të kujdesemi dhe t’i edukojmë si duhet. Nuk duhet fëmijët të rritën duke parë skena dhune, sepse kjo ndikon direkt në personalitetin e tyre, pra, ne nuk duhet t’ua projektojmë të ardhmen atyre duke shfaqur skena, filma me skena dhune dhe depresive, por që duhet biseduar me ta dhe shiquar gjëra të cilat i bëjnë të ndihen mirë!”, ka deklaruar Brajshori.

Lidhur me filmin e shfaqur nga DKA në Shtime për fëmijët e klasave të para dhe të dyta kanë reaguar edhe edhe prindërit.

Rrahman Jashi ka thënë se “Dje, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, u shfaq një film i vjetër (1979) me përmbajtje të dhunshme, tensione emocionale, me tematikë historike dhe politike për nxënësit e shkollës fillore të Shtimes, klasët I, II, III. Organizimi i kësaj shfaqjeje erdhi si pjesë e festimit të 1 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve dhe u realizua nga Drejtoria Komunale e Arsimit dhe Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport”.

Ai në rrjetin e tij social Facebook tutje ka thënë se ai film klasifikohet për audiencën +16 vjeçare.
“Për shkak të përmbajtjes historike dhe politike të filmit “Balonat, i prodhuar në Shqipëri, klasifikohet si një film për audiencën adoleshente (16) dhe të rritur, për shkak të kompleksitetit të tregimit dhe temës që trajtohet në të. Shfaqja ka shkaktuar shqetësime në mesin e nxënësve, prindërve dhe mësuesve me të drejtë duke kërkuar që shfaqja të ndërpritet për shkak të temës së trajtuar në film, që lidhet me antifashizmin dhe partinë komuniste”, ka shkruar ai.
Jashari tutje ka parashtruar pyetjen se “nëse do të shfaqej ndonjë film që do të përforconte krenarinë kombëtare për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), a do të dëgjoheshin reagime të shumta deri në përmasa ndërkombëtare?”
Për fund ai ka kërkuar që të epet llogari lidhur me shfaqjen e këtij filmi për fëmijët në Shtime.

Gjithashtu lidhur me këtë, ka reaguar edhe Qëndrim Hoxha. Ai ka thënë se edhe vajza e tij ishte pjesë e fëmijëve që iu shfaq filmi.

Hoxha ka thënë se vajza e tij ka treguar se disa fëmijë janë ‘tut” nga pamjet në film.

Filmi ”Balonat” i vitit 1979, është prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re” me skenar të Muharrem Skenderi, Halil Kamberi dhe regji të Ismail Zhabjaku.

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika