Për katër muajt e parë të këtij viti, 11 punëtorë vdiqën në vendet e tyre të punës në sektorin e ndërtimtarisë.
Të enjten, në Gjakovë një punëtor mori lëndime vdekjeprurëse, duke shënuar viktimën e tretë vetëm brenda javës së fundit.
Numrin e vdekjeve në vendet e punës e vlerëson alarmant Muharrem Kurtaj, i cili është avokues i marrëdhënieve të punës për punëtorët.
“Pikërisht sot për një maj varroset një punëtor, varroset një dëshmor i punës së pa mbrojtur këto janë statistika alarmante, këto janë një pasqyrë për të gjithë janë pasqyrë për shtetin e Kosovës që synojnë në integrimin e BE-së”, tha Kurtaj.
Për këto raste, eksperti për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve, Arian Ibishi renditi disa nga arsyet.
“Mos respektimi i vendit të punës, mos respektimi i punëtorëve dhe mos krijimi i kushteve është problemi kryesor, fatkeqësisht inspektorati i punës është në numër jo të konsiderueshëm ose është me numër i vogël dhe kjo është ngecja kryesore”, u shpreh Ibishi.
Ibishi tha se nevojitet vetëdijesimi edhe i punëtorëve.
“Kur të kthehemi në anën tjetër kemi edhe mosvetëdijsim se ka kompani që ua bën kushtet e punës ua jep pajisjet mbrojtëse por nuk i mbajnë ato, çka duhet me marrë masa kompania për ata që nuk i mbajnë ato sepse fatkeqësisht është numër i vogël i punëtorëve”, u shpreh Ibishi.
Ndërkohë, Inspektorati Qendror i Punës është duke vazhduar inspektimet nëpër vendet e punës në sektorët me rrezikshmëri të lartë në territorin e Kosovës.
Në 48-orëshin e fundit, Inspektorati ka bërë të ditur se ka realizuar gjithsej 32 inspektime, ku në 14 vendpunishte janë ndaluar punimet dhe katër janë proceduar në Polici për shkak të parregullsive.
Sipas statistikave të Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, nga viti 2018 vdiqën 170 punëtorë në vendet e punës.