Për çka dyshohet shtatë të arrestuarit të rastit “Brezovica 6”?

Ilustrim





Pas arrestimit të shtatë personave nga aksioni policor “Brezovica 6”, Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka njoftuar për arsyet e ndalimit të të njëjtëve.

Personat e arrestuar të cilët tashmë janë dërguar në mbajtje për 48 orë, dyshohet për veprat penale si “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit”, “Fajdeja”, dhe “Ushtrimi i ndikimit”.

Nga ky aksion, i cili është vazhdimësi i atyre të mëparshëm, janë bastisur 11 lokalcione, tetë prej tyre në Prishtinë, dy në Podujevë dhe një në Fushë Kosovë.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellës, sot ka realizuar aksionin “Brezovica” i cili është vazhdimësi i rasteve të mëhershme”, thuhet në njoftim.

“Gjatë këtij aksioni, janë kontrolluar dhe bastisur 11 lokacione të ndryshme, konkretisht tetë lokacione në qytetin e Prishtinës, dy në Podujevë dhe një në Fushë Kosovë, ku me ç​’rast, janë arrestuar shtatë persona të dyshuar dhe të njëjtit me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës “Dhënia e ryshfetit”,nga neni 422 , “Fajdeja” nga neni 331 dhe “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, vijon njoftimi.

Gjatë këtij aksioni, sipas njoftimit të prokurorisë, janë sekuestruar prova të ndryshme materiale.

Ndërkaq, ndaj personave të dyshuar, pritet që brenda afatit ligjor, Prokuroria Themelore në Ferizaj, të parashtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Ndryshe, për arrestimin e shtatë personave ka bërë të ditur për Portali Dukagjini, prokurori i rastit, Rasim Maloku, i cili ka thënë se lidhur me rastin janë bastisur tetë lokacione në Prishtinë, dy në Podujevë dhe një në Fushë Kosovë.

“Shtatë persona janë arrestuar, ndërsa janë bastisur 11 lokacione të ndryshme të lidhura me rastin; tetë lokacione në Prishtinë, dy në Podujevë dhe një në Fushë Kosovë”, ka thënë Maloku.

Kush ishin të arrestuarit e tjerë?

Një aksion tjetër ishte zhvilluar edhe të enjten e tre marsit, ku u arrestuan shtatë persona. Kjo, nën dyshimin për lëshimin e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në zonën e Brezovicës.

Kështu kishte njoftuar Prokuroria Themelore në Ferizaj me anë të një komunikate për media, ku thuhej se ishin bastisur 12 lokacione të ndryshme në katër qytete si, Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj dhe Lipjan.

“Deri më tani janë arrestuar shtatë persona, tre prej tyre ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër pronarë të kompanive ndërtimore, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje, dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim i ndikimit”, thuhej në komunikatë.

Ndërkohë, Policia e Kosovës bashkë me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, aksionin “Brezovica” e kishte nisur më 21 dhjetor të vitit 2021. Nga aksioni i parë ishin arrestuar 10 persona.

Lidhur me rastin, deri më tani janë arrestuar 30 persona, duke përfshirë edhe ish-kryetarin e komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliç.

Prokuroria Themelore e Ferizajt kishte deklaruar se ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliç, ka përfituar deri në një milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë.

Lidhur me këto arrestime, kishte reaguar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili kishte premtuar ndihmë juridike për të arrestuarit.

Shtërpca është njëra prej gjashtë komunave me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër në Kosovë, në krye të saj ishte Nikolliç nga radhët e Listës Serbe.

Kjo është partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Ai, para se t’i bashkohej Listës Serbe në vitin 2013, ishte kryetar i Shtërpcës nga radhët e Partisë së Pavarur Liberale, e cila në fillim të vitit 2020 shpalli moratorium politik, si pasojë e dominimit total të Listës Serbe.

Përveç Nikoliç, janë arrestuar edhe zyrtarë të tjerë të kësaj komune, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës, dhe pronarë të kompanive të ndryshme ndërtimore.





Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika