Mediumi i njohur zviceran ‘Blick’ ka shkruar për deklaratën e futbollistit, Edon Zhegrova.

Anësori i Lille, të mërkurën në mbrëmje, reagoi ashpër lidhur me situatën e tij te Kombëtarja e Kosovës.

Sipas tij, në ndeshjen e fundit ndaj Izraelit nuk ka pasur mundësi të jetë prezent.

Por, dëshirën për të qenë pjesë e “Dardanëve” në ndeshjet ndaj Zvicrës dhe Bjellorusisë, tha se ia mohuan.

“Të dashur tifozë, ditët e fundit erdha në pikëpyetje të luaj apo të mos luaj nga njerëz brenda kombëtares, ata që vendosin për fatin e Kosovës në forma individuale dhe asnjëherë zyrtare,” shkroi ai ndër të tjerash në Instagram.

Kësaj çështjeje, një artikull ia ka kushtuar edhe mediumi zviceran ‘Blick’.

“Zhegrova ankohet për Federatën e Kosovës para ndeshjes me Zvicrën,” ka shkruar ‘Blick’.

Rreth deklaratës së 24-vjeçarit nuk ka reaguar ende Federata e Futbollit të Kosovës.

Teksa ndeshja mes “Dardanëve” dhe Zvicrës do të zhvillohet të shtunën me fillim nga ora 20:45 në stadiumin ‘St. Jakob-Park’ në Basel.