Të hënën dhe të martën, më 2 dhe 3 qershor, në Prishtinë do të mbahet Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, me titull “Kodi i Sigurisë për Brezin Tonë”.

Ky forum, i organizuar nën patronatin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, mbledh personalitete të larta nga vende të ndryshme të botës për të diskutuar çështje kyçe që lidhen me rolin e grave në paqe dhe siguri.

Në këtë forum, do të preken çështje të shumta si kontributin e grave për paqe dhe siguri, dhunën me bazë gjinore në konflikte të armatosura, por edhe adresimi i sfidave globale të shëndetit mendor.

Osmani e ka nderuar me pritje ceremoniale shtetërore, kreun e shtetit të Antigua dhe Barbuda dhe Guvernatorin e  Përgjithshëm Sir Rodney Williams dhe Zonjën e Parë Lady Sandra Williams në prag të Forumin për Gratë Paqen dhe Sigurinë. 

Krahas pjesëmarrjes së kreut të shtetit të rajonit të Karaibeve, Zyra e presidentes Osmani ka njoftuar se në Kosovë për këtë forum tashmë ka arritur edhe ministri i Jashtëm i Tanzanisë, Mahmoud Thabit Kombo si dhe përfaqësuesja speciale e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Irene Fellin. 

Policia e Kosovës ka paralajmëruar se gjatë zhvillimit të forumit do të ketë ndërprerje të përkohshme të trafikut në disa rrugë të Prishtinës, ndaj kërkohet mirëkuptim nga qytetarët.