Këtë të enjte, nga ora 10:00 deri në 12:00, disa prej hyrjeve kryesore të Prishtinës do të jenë të bllokuara përkohësisht, për shkak të një proteste të paralajmëruar nga Oda Ekonomike e Kosovës, kundër liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.

Sipas njoftimit të Komunës së Prishtinës, bllokimi do të ndodhë në këto tri pika kryesore hyrëse të kryeqytetit:

Hyrja nga Veterniku dhe Gjilani – përfshirë rrugën pranë Albi Mall dhe zonën poshtë Veternikut, duke ndikuar qasjen nga Ferizaj, Gjilan dhe Aeroporti.

Hyrja nga Fushë-Kosova dhe Mitrovica – konkretisht te rrethi i Madh në Lakrishte, afër objektit “Dukagjini Tower”.

Hyrja nga Podujeva (lagjja Vranjevc) – përfshirë zonën te ish-Humanisti dhe udhëkryqin pranë bankës Raiffeisen, ku do të bllokohet qasja në drejtim të Podujevës dhe nga Dragodani në drejtim të Shkabaj/Orlloviqit.

Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve që të përdorin rrugë alternative dhe të planifikojnë lëvizjet e tyre jashtë orarit të protestës, për të shmangur pritjet dhe bllokimet.

Protesta do të zhvillohet me pjesëmarrjen e automjeteve të bizneseve, të cilat do të pozicionohen në rrugë, duke pamundësuar përkohësisht qarkullimin në këto akse rrugore.