Tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë sot seancën e 19-të me radhë në përpjekje për t’u konstituuar.

Seanca do të nisë në orën 10:30, ndërsa bllokada institucionale vazhdon për shkak të mungesës së konsensusit mes partive politike për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje(LVV), si fituese e zgjedhjeve, ka propozuar sërish Albulena Haxhiun për postin e kryeparlamentares, por pa mbështetjen e nevojshme nga subjektet tjera parlamentare.

PDK, LDK dhe AAK kanë bërë të ditur se nuk do ta votojnë kandidaturën e Haxhiut, ndërsa LVV ka theksuar se nuk do të heqë dorë nga propozimi i saj.

Për disa seanca me radhë ka dështuar edhe formimi i komisionit për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë, duke penguar vazhdimin e procesit zgjedhor brenda Kuvendit.

Takimi i fundit i ndërmjetësuar nga presidentja Vjosa Osmani me liderët e partive për të zgjidhur ngërçin politik, përfundoi pa rezultate konkrete.

Ndërkohë, seancat e Kuvendit po zhvillohen çdo 48 orë, por mungesa e kuorumit dhe përplasjet politike po e pengojnë formimin e institucioneve të reja.