Për herë të tretë dështon mbledhja e Komisionit Hetimor për abuzimet me rezervat shtetërore
Për herë të tretë radhazi, Komisioni Hetimor për rezervat shtetërore të vajit dhe të grurit ka dështuar të konstituohet. Sipas deputetes së LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, deputetët e VV-së po e bojkotojnë këtë komision. “Hera e TRETË sot që dështon mbledhja e Komisionit Hetimor për SKANDALET e rezervave shtetërore. VV po e bojkoton këtë komision. PSE-në […]
Për herë të tretë radhazi, Komisioni Hetimor për rezervat shtetërore të vajit dhe të grurit ka dështuar të konstituohet.
Sipas deputetes së LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, deputetët e VV-së po e bojkotojnë këtë komision.
“Hera e TRETË sot që dështon mbledhja e Komisionit Hetimor për SKANDALET e rezervave shtetërore. VV po e bojkoton këtë komision. PSE-në tashmë e dini”, tha ajo.
Formimi i këtij Komisioni është votuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, me propozim të opozitës.
Por, nuk po arrin të konstituohet për shkak të bojkotit nga ana e deputetëve të LVV-së.
Opozita ka hedhur akuza te pushteti se qëllimshëm nuk dëshiron ta konstituojë Komisionin, për shkak se, sipas tyre, do të dalin në pah abuzimet me rezerva shtetërore, siç janë mielli, gruri e vaji.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, ka akuzuar partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) që qëllimisht nuk është duke ardhur për ta bërë kuorumin.
“Në seancën e fundit ndodhi diçka që s’ka ndodhë ndonjëherë që Qeveria të mos përgjigjet pyetjeve parlamentare. Po bllokohet punë e këtij komisioni. Që nga 22 shkurti kur kemi filluar të diskutojmë në parlament pastaj kemi mbledh nënshkrime dhe kemi diskutu për keqpërdorime me rezerva shtetërore dhe tashmë e kanë pranuar edhe pozita dhe kryeministri qe mungon një pjesë e grurit”- tha Qalaj, raporton Kallxo.com
Sipas tij, “është evidente që po përpjekën të fshehin gjurmët, po do bëjmë përpjekje që ky komision të konstituohet”.
“Do e bëjmë nesër një tentativë të katërt që të konstituohet edhe pse jam i bindur që nuk vijnë”- tha tutje ai.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica, propozoi që mbledhja e radhës të thirret të premten dhe ftesa të dërgohet sot.
“Mendoj që s’duhet ti caktojmë mbledhjet sot, që të jenë tri mbledhje njëra pas tjetrës dhe mbase i kujtohet dikujt të vjen. Mundemi me tri mungesa të pajustifikueshme t’i zëvendësojmë. Çdo diskutim në komision, cfarëdo pyetje që bëjmë, në momentin që dikush prej tyre del jashtë bllokohemi”- tha ai.















