Komisioni për Politikë dhe Diplomaci i Këshillit të Evropës do të mblidhet më 27 mars në një mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilën pritet të diskutohet edhe për Kosovën.

Aty pritet të diskutohet dhe votohet për raportin për Kosovën e që për të kaluar, duhet të votohet nga 27 deputetë që pastaj të mund të dërgohet në seancën plenare të Asamblesë Parlamentare.

E gjasat që kjo të ndodh, sipas analistëve politikë, janë reale por shqetësuese mbesin paralajmërimet për kushte të reja të vendosura për Kosovën.

“Edhe votat i kemi të jemi pjesë e Këshillit të Evropës por mbetët më pa se çfarë ka shkruar zonja Bacujani në raportin e  saj dhe paralajmërimet e Escobarit se mund të ketë kushte të reja, i cili aludoi me tokat e shpronësume në Veri të vendit. Do të ishte  e padrejtë të ketë kushte të tilla, urojmë të mos ketë kushte të reja,” tha analisti Fidan Ukaj.

E për Besën Luzhën, ky proces po duket të ngjasojë me atë të liberalizimit të vizave.

“ E kemi pas një përvojë të tillë  dhe në procesin e  liberalizmit të vizave, unë shpresoj që më mos të kemi kërkesa që duhet të realizohen dhe shpresoj që kurdo të mbahet vërtet të realizohet kërkesa jonë dhe besoj që SHBA-të do të na përkrahin e po ashtu edhe Gjermani, të shohim se si do të kaloj kjo situatë,” u shpreh analistja, Besa Luzsha.

Me 27 mars, në mbledhje për çështjet politike të Asamblesë në Paris, raportuesja për Kosovën Dora Bakoyannis, synon të paraqesë raportin e saj që përmban një draft-opinion.

Këshilli i Evropës, është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Kosova, javën e kaluar, u lavdërua se po shkon drejt anëtarësimit, pasi vendosi që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe t’ia kalojë në pronësi 24 hektarë tokë. Se ky është kushti i vetëm, u mohua nga emisari amerikan, Gabriel Escobar, pas vizitës së tij në Prishtinë.