Policia e Kosovës ka raportuar për gjashtë raste të dhunës në familje në raportin 24-orësh, të ndodhura në disa qytete të vendit.

Tre prej rasteve janë regjistruar në Prishtinë.

Në rastin e parë, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij.

Në rastin e dytë, një burrë është shoqëruar në polici pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses. Pas intervistimit, palët janë liruar dhe rasti është proceduar në mënyrë të rregullt.

Në rastin e tretë, një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj të fejuarës së tij, gjatë kohës sa ajo ishte për vizitë në shtetin ku ai jeton. Viktimës i është ofruar ndihmë mjekësore dhe rasti është në hetim.

Një shtetas i huaj është arrestuar në Viti pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes. Ajo ka marrë tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Prizren një burrë është arrestuar pasi ka kanosur vëllain e tij. Gjatë kontrollit në banesë, policia ka sekuestruar një pistoletë me gaz, një karikator dhe 28 fishekë. Edhe ky i dyshuar është dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit.

Një tjetër burrë është arrestuar në Gjakovë për dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij. Ai është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.