“Për një ‘like’ dhe një drekë me mua po ndalen në kufi”, Rashiq tregon presionin ndaj serbëve që nuk janë me Listën Serbe

Kosova do të votojë të dielën, më 7 qershor. Akuzat dhe kundërakuzat mes partive politike shqiptare kanë lënë disi në hije vëmendjen ndaj komunitetit serb në vend.

Në qendër të kësaj teme është roli i Listës Serbe, ndikimi i Beogradit në politikën e serbëve të Kosovës, presioni mbi votuesit dhe hapësira për alternativa të tjera politike brenda komunitetit serb.

Për këto çështje në “Përballje Podcast” në Telegrafi ka folur Nenad Rashiq, politikan serb, ministër në detyrë për Komunitete dhe Kthim, si dhe kryetar i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Rashiq ka dhënë detaje për fushatën, të cilën e ka cilësuar shqetësuese, intimiduesе dhe të rrezikshme për të gjithë ata që nuk janë me Listën Serbe dhe me institucionet e Serbisë, të udhëhequra nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Sipas Rashiqit, te serbët në veri dhe në jug të Kosovës ekziston frika për të votuar ndryshe nga Lista Serbe.

Ai tha se presioni po ushtrohet ndaj qytetarëve serbë që nuk e mbështesin Listën Serbe dhe që identifikohen si përkrahës të Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, të cilën ai e drejton.

Sipas tij, në këtë fushatë janë përdorur largimet nga puna, ndalimet në kufi, presioni ndaj familjarëve dhe forma të ndryshme të shantazhit politik.

“Po përjetojmë një veprim brutal. Një diktaturë që pa dyshim ekziston për momentin në Beograd, ndërsa ne jemi dëm kolateral”, ka deklaruar Rashiq.

Ai tha se disa persona janë larguar nga puna për shkak të përkatësisë politike, ndërsa, sipas tij, disa raste nuk janë raportuar fare nga frika e hakmarrjes ndaj familjarëve.

Rashiq përmendi edhe raste kur qytetarë serbë, të identifikuar si përkrahës të tij, janë ndalur në kufi dhe janë marrë në pyetje për disa orë.

“Secili prej njerëzve që është i identifikuar si votues i partisë sime ndalet në kufi për katër orë. Ose për një ‘like’ në Facebook dhe pse është ulur një herë në drekë me mua, kjo ka qenë arsyeja…Deri aty shkon”, tha ai.

Sipas Rashiqit, Lista Serbe dhe institucionet e Serbisë po veprojnë me qëllim që të mos lejojnë një zë tjetër politik brenda komunitetit serb në Kosovë.

“Ne jemi e vetmja parti politike që realisht garon kundër Listës Serbe. Institucionet e Serbisë janë të gjitha të angazhuara që Rashiqi të mos jetë deputet në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Ai e cilësoi qasjen e Listës Serbe si destruktive ndaj institucioneve të Kosovës, duke thënë se kjo bëhet drejtpërdrejt brenda institucioneve ose në mënyrë indirekte përmes institucioneve të Serbisë.

Rashiq tha se për këtë situatë e ka informuar edhe korin diplomatik në Kosovë, por sipas tij nuk ka pasur reagim të mjaftueshëm.

“Për mua është jo vetëm shqetësuese, por edhe zhgënjyese. Besoj në vlerat evropiane, njerëzore dhe demokratike, por të mos ketë asnjë përgjigje është dëshpëruese”, tha ai.

Sipas tij, Beogradi po tenton që përmes Listës Serbe ta mbajë nën kontroll përfaqësimin politik të serbëve të Kosovës dhe të mos lejojë pluralizëm real brenda këtij komuniteti.

“Janë të vendosur t’i përdorin të gjitha mjetet që kanë, qoftë zyrtare, qoftë jozyrtare”, deklaroi Rashiq.

Ai tha se, përkundër presioneve, qëllimi i partisë së tij është të fitojë përfaqësim në Kuvendin e Kosovës dhe të ofrojë një qasje ndryshe nga ajo e Listës Serbe. /Telegrafi/

Shija e redaktorit

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Të fundit nga rubrika