Për të 18-tën herë, Kuvendi tenton të konstituohet
Këtë të hënë në ora 10:30, në Kuvendin e Kosovës do të mbahet seanca e 18-të për tentimin e konstituimit të përbërjes parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Edhe pse deri më tani nuk është arritur marrëveshje, partitë politike do të përpiqen sërish të zgjedhin kryeparlamentarin e ri. Në seancën e fundit, e […]
Këtë të hënë në ora 10:30, në Kuvendin e Kosovës do të mbahet seanca e 18-të për tentimin e konstituimit të përbërjes parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Edhe pse deri më tani nuk është arritur marrëveshje, partitë politike do të përpiqen sërish të zgjedhin kryeparlamentarin e ri.
Në seancën e fundit, e cila u mbajt të shtunën, edhe pse ishin prezent 99 deputetë nga 120 të gjithsej, partitë kryesore PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe refuzuan të propozojnë përfaqësues për mbarëvajtjen e votimit të fshehtë për kryeparlamentarin e ri.
Kjo bëri që kryesuesi Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje të ndërpresë seancën, duke kërkuar që vazhdimet të mos jenë çdo 48 orë, por një herë në javë.
Partitë politike ende nuk kanë arritur marrëveshje, ndërsa qytetarët dhe institucionet presin një zgjidhje për konstituimin e institucioneve të reja të vendit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Që nga betimi i deputetëve më 19 prill, seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës është bllokuar në pikën më të rëndësishme: zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri.
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun për këtë pozicion, por ajo nuk ka arritur të sigurojë 61 votat e nevojshme, pavarësisht gjashtë tentimeve të bëra.
Në përpjekje për të tejkaluar ngërçin, më 1 maj kryesuesi i seancës, Avni Dehari, propozoi që zgjedhja të bëhet me votim të fshehtë.
Ky propozim ka shkaktuar polemika të mëdha, pasi partitë opozitare e konsiderojnë këtë mënyrë jokushtetuese dhe kanë dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, duke kërkuar ndalimin e mbajtjes së seancave derisa të merret një vendim për këtë çështje.
Edhe takimi i fundit i thirrur nga presidentja Vjosa Osmani me përfaqësues të partive nuk solli marrëveshje, megjithëse ajo vlerësoi një “disponim minimal” për të gjetur zgjidhje.















