Rreth 80 persona janë paraqitur për trajtim në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Han të Elezit, me simptoma të diarresë dhe vjelljes.
Sipas njoftimit, rastet janë evidentuar në periudhën nga 13 deri më 15 korrik 2026, ndërsa për situatën janë njoftuar edhe institucionet përkatëse, përfshirë Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), i cili është duke e trajtuar rastin.
“Ju njoftojmë se, sipas të dhënave të pranuara nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Han të Elezit, nga data 13.07.2026 deri më 15.07.2026, janë trajtuar rreth 80 persona me simptoma të diarresë dhe vjelljes”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, Kanun Veseli nga Policia e Kosovës ka bërë të ditur se deri në këto momente nuk ka pranuar raportime lidhur me këtë çështje.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka deklaruar se në Stacionin Rajonal të Policisë nuk është raportuar asnjë rast për këtë situatë.
Institucionet shëndetësore janë duke vazhduar trajtimin dhe vlerësimin e gjendjes, ndërsa pritet që IKShPK të dalë me më shumë detaje pas analizave përkatëse.