Në Këshillin e Sigurimit(KS) në Organizatën e Kombeve të Bashkuara(OKB) është duke u mbajtur takimi i raportimit për Kosovën, ku përfaqësuesi i SHBA-së në KS, Robert A. Wood, i ka parë si të panevojshme takimet e tilla për çdo 6 muaj sepse sipas tij, misioni i UNMIK-u e ka tejkaluar mandatin në Kosovë.

“UNMIK-u e ka tejkaluar misionin siç i ishte shkruar në mandatin fillestar. Ka pasur rol shumë të rëndësishëm në ruajtjen e paqes në të kaluarën, megjithatë Kosova me ndihmën e partnerëve evropianë i ka zhvilluar dhe përforcuar institucionet për të marrë përsipër vetë përgjegjësitë, që më herët ishin nën juridiksion të UNMIK-ut”, ka deklaruar Wood.

Propozimi i tij për Kosovën dhe Serbinë është se, ato duhet të përkushtohen në mbrojtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe se kjo arrihet sipas tij nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“SHBA-ja mbështet rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike dhe rrugën evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Duhet të ketë angazhim mes palëve në dialog të udhëhequr nga BE-ja për të arritur normalizim të përgjithshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve të përqendruar në njohje të ndërsjellë”.

“Të dyja palët të punojnë me SHBA-në e partnerët evropianë për të implementuar udhërrëfyesin e energjisë dhe t’i shmangin tensionet për tabela të veturave”, ka shtuar ai.

Wood ka përfunduar duke thënë se SHBA-ja do të vazhdojë bashkëpunimin me partnerë për të nxitur shoqëri shumë etnike, prosperuese, duke forcuar sundimin e ligjit dhe demokracinë.