Kanë përfunduar bastisjet që Policia e Kosovës ka zhvilluar gjatë ditës së martë në katër lokacione të ndryshme, përfshirë Ministrinë e Bujqësisë, Agjencinë për Zhvillim të Bujqësisë (AZHB), Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari (AUV), si dhe lokacionin e kompanisë përfituese të kontratës për shfrytëzimin e një fabrike për përpunimin e mbetjeve shtazore.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka konfirmuar se ky aksion është ndërmarrë me urdhër të saj dhe është pjesë e një hetimi që lidhet me mënyrën e dhënies me qira të fabrikës për nënprodukte shtazore.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Arbnora Luta, ka njoftuar se bastisja ka përfunduar dhe se aktualisht janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore,

“Ju njoftojmë se bastisja ka përfunduar. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me hetuesit policorë, po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. Me qëllim të ruajtjes së integritetit të hetimeve, në këtë fazë nuk mund të japim më shumë detaje rreth rastit”, ka njoftuar Luta.