Mungesa e një sistemi të tillë bëri që gjithçka të bëhej shkrumb e hi para tre vitesh.
E, tash në Institutin e Mjekësisë Ligjore pas renovimeve është instaluar sistemi i modernizuar kundër zjarrit.
Por, flakët e 2023-tës bllokuan punën në laboratorin kryesor, për shkak të dëmit që u shkaktua atëherë.
Kësisoj, janë afro 300 raste që s’kanë përfunduar ende.
“Korrik 2023 korrik 2026 janë rreth 1500 raste të përfunduara, të përfunduara në aspektin e autopsive. Por janë diku 300 raste në pritje të rezultateve të toksikologjisë që po shpresojmë që pas funksionalizimit të laboratorit shumë shpejt pas servisimi, kalibrimit të pajisive”, ka thënë Agron Thaqi, Agron Thaqi, U.D i Drejtorit të IML-së.
Thaqi bëri të ditur numrin e rasteve që u desh të dërgohen jashtë vendit.
“Në këtë kontekst edhe dërgimi i mostrave jashtë vendit është kompetencë e Prokurorisë, diku rreth dhjetë rastë janë dërguar jashtë vendit. IML ka marrëveshje me një numër të institucioneve rajonale dhe Evropiane, kësisoj ne ndihmojmë vetëm më organizimin dhe komunikimin e punës”, ka thënë Agron Thaqi, Agron Thaqi, U.D i Drejtorit të IML-së.
Por, vonesa e rezultateve vlerësohet se ndikon në trajtimin e rasteve nga institucionet e drejtësisë.
“Nëse IML që nga koha kur u përfshi nga zjarri kur u dëmtuan pajisjet dhe nuk ka kapacitete kjo e pengon edhe gjyqësorin dhe duke pas parasysh që është nën ombrellën e Ministrisë së Drejtësisë mosfuqizimi i IML-së me kapacitete, me pajisje me mundësi teknike është në një farë forme edhe mënyrë se si qeveria e pengon gjyqësorin në kryerjen e punëve të tilla”, ka thënë Gëzim Shala, Hulumtues në IKD.
Krahas vonesës në shqyrtimin e lëndëve gjyqësore, avokati Ardian Bajraktari thotë se kësisoj dëmtohet edhe shteti.
“Natyrisht kjo në vete bartë edhe një kosto financiare për faktin që si dihet çdo ekspertizë e tillë është barrë financiare. Nga ky këndvështrim Ministria e Drejtësisë duhet sa më parë të funksionalizojë këto laboratore”, ka thënë Ardian Bajraktari, Avokat.
Laboratoret, salla kryesore e autopsisë dhe arkiva do të jenë funksionale nga java e ardhshme, meqë renovimet në Institutin e Mjekësisë Ligjore janë pothuajse në përfundim.