Pas përfundimit të aksionit “Brezovica 3”, dhe bastisjes së shtatë lokacioneve të ndryshme në komunën e Shtërpcës, janë arrestuar dy persona.
Kështu ka bërë të ditur Prokuroria Themelore e Ferizajt, teksa theksohet se një doganier dhe kryetari i Bordit të “Ski Center Brezovica”, janë në ndalim policor prej 48 orësh, si të dyshuar për veprën penale “marrja e ryshfetit”.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka njoftuar se në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellëse, kanë realizuar aksionin ‘Brezovica’, ku janë kontrolluar dhe bastisur shtatë lokacione të ndryshme, në mesin e tyre edhe objekti i Komunës së strukturave paralele në Shtërpcë, dhe janë arrestuar dy persona të dyshuar”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të njëjtëve, brenda afatit ligjor, do të paraqesë edhe kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj.
Kush ishin të arrestuarit e tjerë?
Një aksion tjetër ishte zhvilluar edhe të enjten e tre marsit, ku u arrestuan shtatë persona. Kjo, nën dyshimin për lëshimin e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në zonën e Brezovicës.
Kështu pati njoftuar Prokuroria Themelore në Ferizaj me anë të një komunikate për media, ku thuhej se ishin bastisur 12 lokacione të ndryshme në katër qytete si, Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj dhe Lipjan.
“Deri më tani janë arrestuar shtatë persona, tre prej tyre ish- zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër pronarë të kompanive ndërtimore, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje, dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim i ndikimit”, thuhej në komunikatë.
Ndërkohë, Policia e Kosovës bashkë me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, aksionin “Brezovica”, e kishte nisur më 21 dhjetor të vitit 2021. Nga aksioni i parë ishin arrestuar 10 persona.
Lidhur me rastin, deri më tani janë arrestuar 30 persona, duke përfshirë edhe ish- kryetarin e komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliç.
Prokuroria Themelore e Ferizajt kishte deklaruar se ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliç, ka përfituar deri në një milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë.
Lidhur me këto arrestime, kishte reaguar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili kishte premtuar ndihmë juridike për të arrestuarit.
Shtërpca është njëra prej gjashtë komunave me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër në Kosovë, në krye të saj ishte Nikolliç, nga radhët e Listës Serbe.
Kjo është partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Ai, para se t’i bashkohej Listës Serbe në vitin 2013, ishte kryetar i Shtërpcës nga radhët e Partisë së Pavarur Liberale, e cila në fillim të vitit 2020 shpalli moratorium politik, si pasojë e dominimit total të Listës Serbe.
Përveç Nikoliç, janë arrestuar edhe zyrtarë të tjerë të kësaj komune, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës, dhe pronarë të kompanive të ndryshme ndërtimore.