Ka përfunduar bastisja në Arkivin Shtetëror dhe Agjencinë Kadastrale të Republikës së Kosovës, e zhvilluar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me Policinë e Kosovës. Gjatë aksionit janë arrestuar disa persona.

Dyshimet mbi të cilat janë kryer bastisjet kanë të bëjnë me keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Bastisjet përveç Prishtinës janë duke u kryer edhe në Ferizaj dhe Shtime. Ende nuk dihet nëse ka të arrestuar të tjerë.

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës mëngjesin e së mërkurës ka nisur bastisjet në Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe Agjencinë Shtetërore të Arkivave. Aksioni po zhvillohet në Prishtinë, Ferizaj e Shtime

Kështu ka konfirmuar  për Kohën, Kaltrina Shala, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, sipas urdhëresës nga gjykata, ka marrë aksion për bastisje dhe kontroll në institucionin e Arkivës dhe atë kadastral të Kosovës për veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’”, ka thënë ajo.

Ndërkaq Policia e Kosovës ka bërë të ditur se operacion policor i cili përfshin Prishtinën, Ferizajn dhe Shtimen.

“Operacioni policor po realizohet mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Pas përfundimit dhe kompletimit të zhvillimeve policore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë mund të bëhen publike informacione shtesë”, ka thënë Policia.