Policia e Kosovës kanë gjetur trupin e pajetë të 91-vjeçarit, i cili ishte zhdukur që nga 17 gushti dhe ishte shpallur në kërkim.

Në njoftimin e Policisë thuhet se trupi i pajetë është gjetur te vendi i quajtur “Shpella Burrnikut”.

“Sot rreth orës 09:30, Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se disa qytetarë në bjeshkët e fshatit Burrnik të Ferizajt, te vendi i quajtur “Shpella Burrnikut” kanë gjetur trupin e pajetë të personit Ilaz Sejdiut (M/K) i moshës 91-vjeçar, i cili ishte zhdukur që nga data 17.08.2023 dhe ishte shpallur në kërkim”, thuhet në njoftim.

Ekipe të policisë, krimteknikët dhe hetuesit rajonalë janë në vendin ku është gjetur trupi i tij, ndërsa janë njoftuar Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, për veprime tjera hetimore.

“Policia rajonale e Ferizajt falënderon të afërmit e tij, banorët e zonës, ‘Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim’, vullnetarët nga ‘Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës’, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, pjesëtarët e Brigadës së Zjarrëfikësve të Ferizajt, zyrtarë të Drejtorisë së Emergjencave të komunës së Ferizajt dhe pjesëtarët e policisë që ndihmuan në gjetjen e personit të zhdukur”.