Ka përfunduar procesi gjyqësor në rastin e vrasjes së Liridona Ademaj, ndërsa shpallja e aktgjykimit është caktuar të bëhet më 21 prill në ora 13:30.
Sipas informacioneve nga gjykata, të akuzuarit në këtë rast nuk do të marrin pjesë në seancën e shpalljes së aktgjykimit.
Ndërkaq, Prokuroria ka kërkuar dënimin maksimal me burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademaj, duke theksuar se të gjitha provat e administruara gjatë procesit gjyqësor e vërtetojnë fajësinë e tyre përtej çdo dyshimi të bazuar.
Në fjalën përfundimtare, prokurorja e rastit, Javorka Perlinqeviq, tha se provat e mbledhura dëshmojnë se Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen.
Sipas Prokurorisë, gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është evidentuar asnjë rrethanë lehtësuese në favor të të akuzuarve. Përkundrazi, është theksuar natyra e rëndë e krimit, mënyra e kryerjes së tij, si dhe sjellja e të akuzuarve pas ngjarjes, përfshirë përpjekjet për manipulim dhe ndikim në opinionin publik.