Përfundon protesta e bizneseve qetësisht, zhbllokohen hyrjet e Prishtinës
Ka përfunduar protesta e organizuar nga bizneset, të cilat kishin bllokuar hyrjet kryesore të Prishtinës në shenjë kundërshtimi ndaj liberalizimit të tregut të energjisë. Protesta nisi në orën 10:00 sot(e enjte) dhe përfshiu pika të ndryshme hyrëse të kryeqytetit, përfshirë Veternikun, rrethrrotullimin te Flamuri, afër qendrës “Dukagjini” në rrugën për Fushë-Kosovë, rrugën drejt Mitrovicës dhe […]
Ka përfunduar protesta e organizuar nga bizneset, të cilat kishin bllokuar hyrjet kryesore të Prishtinës në shenjë kundërshtimi ndaj liberalizimit të tregut të energjisë.
Protesta nisi në orën 10:00 sot(e enjte) dhe përfshiu pika të ndryshme hyrëse të kryeqytetit, përfshirë Veternikun, rrethrrotullimin te Flamuri, afër qendrës “Dukagjini” në rrugën për Fushë-Kosovë, rrugën drejt Mitrovicës dhe atë nga Podujeva në lagjen Vranjevc.
Bllokimi i rrugëve zgjati nga ora 10:00 deri në orën 12:00, ashtu siç ishte paralajmëruar më parë nga organizatorët e protestës.
Shkak për këtë reagim ishte vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për liberalizimin e tregut të energjisë, që pritet të hyjë në fuqi më 1 qershor. Sipas këtij vendimi, të gjitha bizneset e mëdha do të dalin nga sistemi i tarifave të rregulluara dhe do të detyrohen të gjejnë vetë furnizuesin e tyre në tregun e lirë. Në rast se nuk e bëjnë këtë, ato do të kalojnë automatikisht në treg të hapur, ku çmimet nuk janë të rregulluara.















