Përfundon takimi i komandantit të KFOR-it me kryeministrin Kurti, s’deklarohen për media
Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, së bashku me shefin e EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, të hënën e 26 dhjetorit, janë takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ky takim vjen pasi serbët lokalë që nga 10 dhjetori kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq. […]
Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, së bashku me shefin e EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, të hënën e 26 dhjetorit, janë takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ky takim vjen pasi serbët lokalë që nga 10 dhjetori kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
EO raporton se komandanti Ristuccia ka dalë nga ndërtesa e Qeverisë, por nuk ka pranuar të deklarohet për media.
Ndryshe, këtë takim kryeministri Kurti e paralajmëroi të shtunën.
“Meqë sonte është Krishtlindja, ne duhet të kemi shumë shpejt pas saj një takim me komandantin e KFOR-it dhe unë si kryeministër, e në të cilën, besoj që të sqarojmë gjithçka por, kjo nuk mund të tolerohet pafundësisht. Nga ai takim, të cilin, presim që ta kemi me komandantin e KFOR menjëherë pas Krishtlindjes, besoj që do të sqarohet gjithçka dhe mund t’ju japim përgjigje”, kishe deklaruar Kurti.
Ndërkaq, në mbrëmjen e së dielës së 25 dhjetorit, janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri afër komunës së Zubin Potokut.
KFOR-i ka konfirmuar se u qëllua me armë zjarri në afërsi të patrullës së saj në Zubin Potok, ndërsa Policia e Kosovës ka demantuar raportimet e mediave serbe se ka qenë e përfshirë në shkëmbim zjarri në Zubin Potok.















