Përfundon takimi i Kurtit me Borrellin dhe Lajçakun

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, janë duke vazhduar takimet veçmas me ndërmjetësit e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Tashmë ka përfunduar takimi në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Borrell nëpërmjet një postimi në Twitter, ka theksuar se situata në veri vazhdon të jetë e tensionuar dhe se gjatë takimit me Kurtin synojnë të gjejnë zgjidhje për de-përshkallëzimin e menjëhershëm dhe rrugën përpara.

“Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë shumë e tensionuar. Sot, ne synojmë të gjejmë zgjidhje për deeskalim të menjëhershëm dhe një rrugë përpara”, ka shkruar ai.

Pas takimit me Kurtin, Borrell dhe Lajçak kanë filluar takimin tjetër me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Pa takimit me Kurtin, Borell kishte shkruar në Twitter se “idetë konstruktive dhe gatishmëria për kompromis janë ato që nevojiten për të adresuar krizën e vazhdueshme në veriun e Kosovës”.

“Nga palët pritet ulja e tensioneve dhe përmbushja e obligimeve të tyre, pa parakushte”, ka shkruar Borrell në rrjetin social Twitter, në nisje të takimit me udhëheqësin serb.

Më herët, Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Evropian ka thënë se “përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, i shoqëruar nga i dërguari i posaçëm, Mirosllav Lajçak, do të kenë një seri takimesh për menaxhimin e krizave me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”.

Takimet në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë me gjasë do të jenë vetëm takime dypalëshe, mes bartësve të dialogut,  Kurti, dhe Vuçiq, me ndërmjetësit evropianë të dialogut.

Zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali, në një konferencë për shtyp nuk ka treguar saktësisht se a do të ketë apo jo takim trepalësh.

“Unë nuk kam thënë se nuk do të ketë takim mes tyre. Me rëndësi është se ata sot do të jenë në Bruksel, me ftesë të përfaqësuesit të lartë. Të shohim se si do të shkojnë takimet, e pastaj mund të dimë më shumë”, është përgjigjur Massrali, në pyetjen se a do të ketë pasoja për ata që refuzojnë të takohen.

Pas takimeve është paralajmëruar që Borrell të prononcohet për media.

Kurti dhe Vuçiq veçse kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takimin e thirrur nga Borrell.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, më herët gjatë 22 qershorit ka thënë se të enjten do të takohet me Borrellin në Bruksel, por jo edhe me Kurtin.

“Biseda me të [Kurtin] nuk ka kuptim. Ai na jep leksione për filozofinë, pak për [Adem] Demaçin, pak për [Karl] Marx”, ka deklaruar Vuçiq.

Një ditë më parë, Kurti ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e Brukselit.

Ai ka thënë se në atë takim do të insistojë “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve [të Kosovës] që po mbahen peng nga Serbia, shtensionimin e situatës dhe normalizimin e raporteve”.

Kujtojmë se, që nga fundi i majit, tensionet në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – janë rritur, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë së Kosovës.

Kryetarët e rinj u kundërshtuan nga serbët lokalë, të cilët që atëherë po mbajnë protesta të vazhdueshme në tri komunat veriore në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Më 29 maj, protestat u përshkallëzuan në përleshje mes serbëve lokalë dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Situata mes Kosovës dhe Serbisë është përkeqësuar më 14 qershor, pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës.

Serbia ka thënë se ata “u arrestuan thellë brenda territorit të saj”, por Kosova ka njoftuar se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.

Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar i kanë bërë thirrje Serbisë që të lirojë pa kushte policët. Ndërkaq, BE-ja dhe SHBA-ja i kanë paraqitur tri kërkesa autoriteteve në Kosovë për shtensionimin e situatës. Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është përgjigjur duke paraqitur një plan të tij pesëpikësh.

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika