Katër muaj pas arrestimit të katër personave të dyshuar për përgatitjen e një vrasjeje në Pejë, rasti vazhdon të jetë në fazën hetimore.

Kështu ka njoftuar të paktën Gjykata Themelore në Prishtinë në një përgjigje për Dukagjinin, duke shtuar se për më shumë informacione duhet të kontaktohet Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se rasti në fjalë gjendet në fazë të hetimeve, andaj për më shumë mund t’i drejtoheni Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Melihate Gashi, zyrtare për informim në këtë gjykatë.

Prokuroria Speciale nuk ka dhënë ende ndonjë përgjigje – ndonëse e pyetur qe një kohë nga Dukagjini – lidhur me këtë çështje.

Arrestimet janë kryer më 30 janar të këtij në Pejë dhe Prishtinë. Tre prej të dyshuarve – Qëndrim Elshani, Mentor Dreshaj dhe Leon Dizdari – janë vendosur në paraburgim vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa i katërti, Ardian Gashi, është liruar në procedurë të rregullt.

Dyshime se planifikonin vrasje, gjykata merr vendim, avokatja e familjes Elshani: Familja ishte e gatshme të ofronte gjithçka

Të dyshuarit ngarkohen me disa vepra penale, përfshirë “pjesëmarrjen ose organizimin e grupit kriminal të organizuar”, “veprime përgatitore për vrasje të rëndë”, “detyrim”, “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” dhe “zjarrëvënie”.

Plani i grupit, sipas dosjes hetimore, kishte për synim vrasjen e një personi në Pejë për një shumë prej 30 mijë euro, ndërsa nëse viktima do të plagosej, pagesa do të ishte 7 mijë euro. Policia kishte ndërhyrë pak para se plani të zbatohej.