Kosova ka pësuar një rënie të ndjeshme prej 24 vendesh në Indeksin e Lirisë së Shtypit të organizatës ndërkombëtare Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të nga gjithsej 180 shtete të vlerësuara.

Liria e mediave, në rënie të lirë: Kosova renditet e 99-ta në raportin e Reporterëve pa Kufij

Ambasada Gjermane në Prishtinë ka reaguar ndaj këtij zhvillimi, duke thënë se ky raport është një udhëzues për qeverinë e re të Kosovës. Ajo e konsideron këtë renditje si një alarm që thekson nevojën urgjente për përmirësime në mbrojtjen e lirisë së shtypit.

“Kosova ka rënë gjithsej me 24 vende në Indeksin e fundit të Lirisë së Shtypit të RSF-së, duke e vendosur atë në fund të listës në krahasimin rajonal – madje edhe pas Serbisë. Raporti duhet lexohet si një libër me detyra për qeverinë e re, duke përshkruar qartë hapat e nevojshëm për të siguruar një shtyp të lirë, i cili është thelbësor për çdo demokraci të gjallë dhe elastike”, thuhet në reagimin e ambasadës gjermane.

Kjo është rënia më e madhe për Kosovën në 15 vitet e fundit dhe vjen pas një tjetër uljeje vitin e kaluar, ku Kosova ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.

Në raportin e publikuar më 2 maj, në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Kosova renditet e fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian. Sipas këtij raporti, pesë vendet e para me gjendjen më të mirë të lirisë së shtypit janë: Norvegjia, Estonia, Holanda, Suedia dhe Finlanda.