Në Tërdec të Drenasit sot u vendos pllaka përkujtimore në shtëpinë e familjes Xhekaj, e cila ishte njëra nga bazat e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Drenica dhe nga të gjitha anët e Kosovës, me rastin e njëvjetorit të ndarjes nga jeta të luftëtarit të shquar Fadil Xhekaj.

Shtëpia bazë e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës është e luftëtarit të orëve të para Fadil Xhekaj, i cili përveç me armë në dorë, ai dhe familja e tij kontribuuan me gjithçka  që kishin për lirinë e Kosovës.

Pllaka përkujtimore u vendos në nderim të njëvjetorit të ndarjes nga jeta e Fadil Xhekajt, me ç’rast bashkëluftëtarët e tij lartësuan veprat që gjatë gjithë jetës ia kushtoi atdheut.

Kryetari i OVL UÇK në Drenas, Enver Hajdari, tha se kjo shtëpi-shtab u bë strehë e shumë luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vendi ku bëheshin plane për betejat e lavdishme përballë policisë dhe ushtrisë okupatore serbe.

“Kjo shtëpi simbolizon idealin dhe sakrificën për çlirim”, tha Hajdari.

Familja Xhekaj ka dhënë kontribut të madh për lirinë e Kosovës jo vetëm gjatë luftës së fundit, por edhe gjatë etapave të mëhershme për çështjen kombëtare shqiptare.

Kujtojmë, Fadil Xhekaj ndërroi jetë më 28 maj 2024, në moshën 65-vjeçare./KP