Dy muaj e gjysmë pasi u certifikua rezultati i zgjedhjeve parlamentare, zëvendës-kryeministri në detyrë Besnik Bislimi e përfaqësoi Kosovën në Bruksel në dialogun me Serbinë, në një takim në nivel kryenegociatorësh.

Ai njoftoi se arriti dakordim për, siç tha, “principet sesi duhet të udhëhiqen takimet në trilateral në kohën e Përfaqësuesit të Posaçëm, Peter Sorensen’.

Në një reagim Lidhja Demokratike theksoi se Bislimi nuk ka mandat për të shkuar në një proces të tillë “të interesit të lartë shtetëror” në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Nuk kanë legjitimitet demokratik, nuk kanë autorizim prej Kuvendit dhe nuk të ndërmarrin këto veprime”, ka deklaruar Arben Gashi, deputet i LDK-së.

Deklarimet se Bislimi nuk ka legjitimitet për përfaqësim të Kosovës në dialog, i vlerësoi të qëndrueshme profesori Dritëro Arifi – i cili u shpreh i habitur vetëm me Bashkimin Evropian.

“Në këtë formë as ligji nuk ja lejon Qeverisë që ta prezantojë jashtë Kosovës, sidomos në një dialog politik ku asnjëri nga institucionet kryesore vendimmarrëse nuk ka legjitimitet, pra është non-sens në vete çka ka ndodhur. Dhe, mënyra se si ka shkuar dhe për çka ka shkuar është edhe më problematike, sepse çka nëse kërkohet të kalojë në Kuvend, na nuk kemi as Kuvend. Pra, është absurditet i llojit të vet”, ka deklaruar Arifi.

Që nga certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve, sipas profesorit Arifi qeveritarët janë aty vetëm për raste emergjente.

“Te ne kemi një demokraci përfaqësuese, pra një Qeveri duhet të legjitimohet gjithsesi nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, prandaj është Qeveri në detyrë, nuk është Qeveri fuqiplotë”, ka deklaruar Arifi.

Të mërkurën, kabineti i zëvendëskryeministrit në detyrë nuk u përgjigjën në pyetjet e TV Dukagjinit lidhur me këtë çështje.