Tetë persona janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje pas një përleshjeje të ndodhur në orët e para të së shtunës, në Veternik të Prishtinës, ku dy persona kanë mbetur të lënduar nga arma e zjarrit dhe një mjet i mprehtë.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 26 shtator 2026, rreth orës 04:39, prapa një lokali në Veternik, pas një mosmarrëveshjeje mes disa personave.
“Është raportuar se mbrapa një lokali në Prishtinë, pas një mosmarrëveshjeje ndërmjet disa personave të dyshuar meshkuj kosovarë, njëri prej tyre ka qëlluar dhe plagosur një nga të dyshuarit, ndërsa i dyshuari tjetër ka përdorur një mjet të mprehtë – thikë, duke i shkaktuar lëndime trupore”, thuhet në raportin e Policisë.
Sipas Policisë, dy personave të lënduar u është ofruar ndihma mjekësore dhe ata po vazhdojnë trajtimin mjekësor.
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes dhe kontrollit ndaj personave të dyshuar, Policia ka gjetur dhe konfiskuar një pistoletë, tri gëzhoja, dy fishekë, dy predha, një thikë, një çelës metalik dhe një veturë.
“Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të gjithë të dyshuarit (tetë) janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.
Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente policore nën dyshimet për veprat penale “vrasje e rëndë në tentativë”, “posedim ilegal i armës”, “sulm” dhe “pjesëmarrje në rrahje”.