Policia e Kosovës ka ndërhyrë sot në një rast të përleshjes fizike që ka ndodhur në lagjen “Kodra e Minatorëve” në Mitrovicë, ku si rezultat janë arrestuar dy persona, ndërsa një tjetër është dërguar për trajtim mjekësor.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani.

“Sot, më 29.06.2025, rreth orës 11:00, kemi pranuar një informacion për një përleshje fizike në lagjen ‘Kodra e Minatorëve’ në Mitrovicë. Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitet policore kanë reaguar dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes,” deklaroi Elshani.

“Në vendin e ngjarjes janë arrestuar dy persona të dyshuar, ndërsa një person i tretë është dërguar në spital për të marrë trajtim mjekësor për shkak të lëndimeve të marra gjatë përleshjes,” theksoi ai.

Pas procedurave të nevojshme policore, është marrë vendim nga prokurori i shtetit lidhur me statusin e personave të përfshirë.

“Njëri nga të dyshuarit, pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë. Personi i dytë është liruar dhe është trajtuar si dëshmitar në këtë rast,” tha Elshani.

Policia njofton se hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar nga njësitet hetimore kompetente.