Pas dakordimit të Brukselit, nga Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiqi pritet një dakordim edhe në Ohër.

Ky qytet i Maqedonisë së Veriut është paraqitur të enjten nga BE-ja si lokacion për mbajtjen e takimit të radhës ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë, më 18 mars.

Para se të arrihet deri te kjo datë, emisari evropian Miroslav Lajçak do t’i vizitojë Prishtinën dhe Beogradin.

E, udhëtimin e parë në dy kryeqytetet, sllovaku pritet ta bëjë javën ardhshme, në përpjekje të finalizimit të udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjes së dakorduar.

Disa prej afateve për zbatimin e neneve që janë publikuar në televizionin Dukagjini, i ka konfirmuar tërthorazi kryenegociatori Besnik Bislimi për televizionin publik.

Por, përmbajta e draftit të udhërrëfyesit të hartuar nga BE-ja por të papublikuar zyrtarisht, sipas profesorit Dritëro Arifi, nuk pritet të pësojë shumë ndryshime.

Dakordimin për aneksin, sikur atë për propozimin evropian, Kurtit dhe Vuçiqit ua kanë kërkuar disa senatorë amerikanë të enjten.

Senatorët Jeanne Shaheen dhe Pete Ricketts, përmes një deklarate të përbashkët me senatorë të tjerë, kanë thënë se kjo është e rëndësishme për gjithë rajonin.

“Marrëveshja dhe aneksi i implementimit përmbajnë implikime të mëdha për rajonin e gjerë – Ballkanin Perëndimor – ku e dimë se Putini po shikon të minojë unitetin transatlantik dhe të zgjerojë ndikimin rus. Demokratët dhe Republikanët në Senat janë të përkushtuar të punojnë me qeveritë e Kosovës dhe Serbisë ndërsa po finalizojnë aneksin e implementimit, dhe të avancohen prioritetet që do të sjellin paqe, stabilitet dhe prosperitet në rajon”, thuhet në deklaratën e senatorëve amerikan.

Pritjet janë të mëdha që Kosova dhe Serbia deri në takimin e radhës të pajtohen  edhe për mënyrën e zbatimit të planit evropian.