Përmbytet varka në Nigeri, 25 persona të vdekur dhe 14 të zhdukur
Të paktën 25 persona kanë humbur jetën dhe 14 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur pasi një varkë me dhjetëra pasagjerë u përmbyt në Yobe, në verilindje të Nigeria, kanë bërë të ditur zyrtarët të dielën. Ngjarja tragjike ndodhi mbrëmjen e së shtunës, pak para orës 20:00 sipas orës lokale, kur varka që ishte nisur […]
Të paktën 25 persona kanë humbur jetën dhe 14 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur pasi një varkë me dhjetëra pasagjerë u përmbyt në Yobe, në verilindje të Nigeria, kanë bërë të ditur zyrtarët të dielën.
Ngjarja tragjike ndodhi mbrëmjen e së shtunës, pak para orës 20:00 sipas orës lokale, kur varka që ishte nisur nga fshati Adiyani në Jigawa u përmbyt gjatë rrugës për në Garbi, në shtetin Yobe. Sipas autoriteteve, në bord ndodheshin 52 pasagjerë.
Kreu i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave të shtetit Yobe, Mohammed Goje, bëri të ditur se deri më tani 13 persona janë shpëtuar të gjallë, ndërsa 25 trupa janë nxjerrë nga uji. “Operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë për gjetjen e 14 personave të zhdukur”, tha ai, duke shtuar se ekipe emergjence nga qytetet fqinje, vullnetarë lokalë dhe forcat e sigurisë janë angazhuar në vendngjarje.
Incidenti u konfirmua edhe nga policia e shtetit Jigawa, e cila njoftoi se varka u përmbyt si pasojë e rrjedhjes së ujit. Zëdhënësi i policisë shtetërore, Lawan Adam, sqaroi se viktimat po ktheheshin në shtëpi pas një dite tregu. Ai theksoi se, nëse shoferi i varkës ka mbijetuar, ndaj tij do të ngrihen akuza për neglizhencë, pasi rregullat e sigurisë që ndalojnë udhëtimet natën dhe mbingarkesën janë shpërfillur.
Aksidentet e rënda me varka janë të shpeshta në Nigeri, ku mjetet ujore shpesh operojnë pa standarde sigurie. Vetëm në shtator, të paktën 60 persona humbën jetën kur një varkë e mbingarkuar u fundos pasi u përplas me një trung peme në shtetin Niger, në pjesën qendrore të vendit.















