Të paktën 66 persona kanë humbur jetën në Kenia gjatë javës së fundit për shkak të përmbytjeve nga reshjet e dendura, njoftoi policia. Vetëm gjatë fundjavës, katër persona të tjerë kanë vdekur, duke e çuar totalin në 66.
Kryeqyteti Nairobi u përfshi sërish nga reshje të mëdha gjatë natës, por pa raportuar viktima të reja.
Një minibus, i njohur si matatu, u bllokua nga uji dhe 11 persona u shpëtuan nga Kryqi i Kuq i Kenias. Po ashtu, dy fëmijë u shpëtuan nga një shtëpi e përmbytur.
Reshjet e javës së fundit shkaktuan përmbytje të papritura, lumenjtë u derdhën mbi brigjet e tyre, duke përmbytur shtëpi, rrugë dhe duke dëmtuar linjat e energjisë dhe ujit. Disa ura dhe rrugë u bllokuan në Nairobi, ndërsa disa shkolla u përmbytën pas shiut të së shtunës.
Ministria e Brendshme paralajmëroi se reshjet e dendura vazhdojnë në disa zona, duke rritur rrezikun e përmbytjeve.
Më shumë se 2,000 persona u detyruan të lënë shtëpitë e tyre dhe të kërkojnë strehim të sigurt, raporton BBC.
Policia njoftoi se operacionet e kërkimit dhe shpëtimit vazhdojnë, ndërsa rreth gjysma e viktimave, 33 persona, janë nga Nairobi, ku shkak kryesor ka qenë mbyllja e kanaleve të ujit dhe zhvillimi i pakontrolluar urban.
Banori i Nairobi-t, Kareem Hassan Ali, tha se në zonën e Parklands u krijua një pellg uji rreth dy metra i lartë gjatë natës së së shtunës, duke përmbytur pjesërisht garazhet, ndërsa apartamenti i tij nuk u prek.
Një tjetër banor, Deenesh Patel, tha se kishte kaluar natën te një mik për të shmangur rreziqet.