Përpjekja e ministres Haxhiu për kriminalizim të satirës, e dështuar ligjërisht

Paralajmërimi i Ministrisë së Drejtësisë për padi ndaj një personi i cili ka ironizuar me një rast të ndjeshëm, sipas juristëve nuk ka bazë ligjore

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një postimi në Facebook, ka paralajmëruar padi ndaj një personi për të cilin ministrja ka pretenduar se është tallur me një rast të pedofilisë për të cilin kishte shkruar ajo.

Në lidhje me këtë çështje, pati reagime të shumta sidomos në rrjete sociale ku është diskutuar se a ka të drejtë ministrja të ngritë padi ndaj personave të cilët e përdorin ironinë, satirën apo humorin.

Kjo përpjekje e ministres për ta kriminalizuar mënyrën e shprehjes përmes satirës e humorit, po konsiderohet pa bazë ligjore nga njohësit e çështjeve juridike.

Avokati, Artan Qerkini, në një prononcim për Portalin Dukagjini, ka thënë se tallja me çështje të ndjeshme, siç është rasti në fjalë, mund të diskutohet për nga ana morale, por sipas tij nuk ka bazë ligjore për padi penale ndaj personave që e përdorin ironinë apo humorin.

Rasti për të cilin ministrja Haxhiu ka paralajmëruar, sipas avokatit Qerkini hyn në kategorinë e lirisë së shprehjes dhe nuk ka bazë ligjore për inicimin e ndonjë procedure ligjore.

Avokati, Artan Qerkini

“Sa i përket rastit në fjalë, humori i zhvilluar nga një komentues në Facebook, më shumë është çështje morale, një deklarim i tij për faktin kush dhe sa i lejon vetes të tallet me çështje të ndjeshme. Pra është shumë më shumë çështje morale sesa çështje ligjore me këto fakte që janë në dispozicion, atëherë unë nuk shoh bazë juridike për inicimin e ndonjë procedure ligjore”, ka thënë Qerkini.

Por, ai ka thënë se liria e shprehjes nuk do të thotë se është absolute, ai ka theksuar se liria e shprehjes hyn në kategorinë e të drejtave relative.

“Sa i përket anës ligjore rasti kualifikohet në kategorinë e lirisë së shprehjes, liri kjo që është e garantuar me kushtetutë, mirëpo duhet theksuar se liria e shprehjes nuk është absolute, sepse hyn në grupin e të drejtave që kanë karakter relativ, sepse duhet që rast pas rasti të vlerësohet kur liria e shprehjes i cenon liritë dhe të drejtat e të tjerëve. Kjo na jep të kuptojmë se liria e shprehjes nuk është absolute”, ka thënë ai.

Edhe juristi tjetër, Kushtrim Palushi, ka theksuar se ironia dhe humori hyjnë në kategorinë e lirisë së shprehjes.

Sipas tij, për fyerjet dhe shpifjet qytetarët mund të ankohen përmes padive kundër shpifjes por që sipas tij, askush nuk mundet të dënohet penalisht për një gjë të tillë.

Avokati Kushtrim Palushi

“Kjo çështje rregullohet me lirinë e shprehjes, secili ka të drejtë ta shprehë mendimin dhe opinionin e tij. Format e shprehjes përmes ironisë e satirës janë forma te mbrojtura me kushtetutë. Dikush nuk bën të shpifë ose të fyejë dikë. Për këtë gjë megjithatë ka mundësi ligjore për ankesë përmes padive kundër shpifjes dhe fyerjes. Ndërsa askush nuk mundet të dënohet penalisht për një gjë të tillë”, ka deklaruar Palushi për Portalin Dukagjini.

Se nuk ka hapësirë ligjore për padinë e paralajmëruar nga ministrja Albulena Haxhiu, e thotë edhe njohësi i çështjeve ligjore, Leotrim Gashi.

Gashi është shprehur se statusi i personit për të cilin ka reaguar ministrja, mund të ngjallë irritim, por megjithatë nga ana ligjore nuk mund të fillohet procedurë penale ndaj tij.

Leotrim Gashi, njohës i çështjeve juridike

“Mirëpo sa i përket asaj që a është vepër penale, meqenëse ministrja ka shkruar se atë status të atij personi do ta raportojë në polici, normalisht që nuk ka asnjë dispozitë të Kodit Penal të Kosovës të fillohet ndonjë procedurë penale për ndonjë shkrim të tillë, për çfarë se nuk mund të ketë elemente të kërcënimit, nxitje të urrejtjes apo ndonjë formë tjetër të veprave penale”, ka thënë Gashi.

Ndërkaq, avokati Taulant Hoda, duke folur në përgjithësi për lirinë e shprehjes dhe përdorimit të ironisë apo satirës për rastet e ndjeshme, siç janë abuzimet e ndryshme apo dhunimet e fëmijëve, ka thënë se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GjEDNj) nuk i jep mbrojtje absolute një personi dhe i njejti nuk mund të thirret në liri të shprehjes, nëse abuzon me këtë të drejtë.

Sipas tij, kjo gjykatë nuk e konsideron liri të shprehjes satirën në raport me abuzimin me fëmijë.

“Në vendimet e GJEDNJ-së, varësisht nga rasti në rast, në mënyrë që të konsiderohet një satirë apo shprehje që mund të ketë edhe implikime penale shikohen tri kushte, apo si është i njohur Testi trehapësh i GjEDNj-së (Format e manifestimit të lirisë së shprehjes, Interesi publik, Efekti frenues)”, ka thënë Hoda.

Taulant Hodaj, Jurist

“Pra çdo rast analizohet nga një test trehapësh. Vendimet e GJEDNJ-së në çështjet e ndjeshme apo si është rasti kur kemi të bëjmë me abuzim apo dhunim të fëmijëve, atëherë kjo gjykatë përmes vendimeve të saja nuk i jep mbrojtje absolute një personi duke u thirrur në liri të shprehjes, nuk i konsideron liri të shprehjes edhe cytjet apo satirën në raport me abuzimin me fëmijë, e sidomos kur ata janë të moshës shumë të re”, ka vijuar ai.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas reagimeve të shumta në rrjete sociale ndaj paralajmërimit të saj për padi kundër një personi i cili e ka përdorur ironinë, ka shkruar përsëri në rrjetin social Facebook, duke thënë se “Pedofilët dhe ata të cilët i normalizojnë e tallen me këto krime nuk dallojnë dhe aq. Relativizimi dhe përqeshja e pedofilisë, vetëm sa do ta rëndojë situatën dhe do t’i shtojë pedofilët e do ta normalizojë këtë krim!”.

Ndërkaq, ajo nuk ka bërë të ditur nëse me të vërtetë e ka paditur personin i cili ka ironizuar me të apo jo.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika