Pamjet tregojnë çastin kur dy helikopterë zjarrfikës përplasen gjatë një operacioni për shuarjen e flakëve në zonën e Psathas, në Greqi.
Sipas të dhënave paraprake, të dy helikopterët ishin ngritur nga aeroporti ushtarak i Elefsinës për të marrë pjesë në ndërhyrjen kundër zjarreve. Si pasojë e aksidentit, dy persona kanë pësuar lëndime të lehta, ndërsa dy të tjerë janë dërguar pa ndjenja në Spitalin e Përgjithshëm të Aviacionit 251.
Në bord ndodheshin pilotë rumunë dhe koordinatorë grekë. Helikopterët ishin marrë me qira nga Shërbimi Zjarrfikës i Greqisë dhe secili kishte nga dy anëtarë ekuipazhi.
Pas përplasjes, autoritetet reaguan menjëherë duke dërguar në vendngjarje katër autoambulanca të EKAB-it, si dhe një njësi të lëvizshme mjekësore për t’u ofruar ndihmë të lënduarve.