Tensionet para Kuvendit të Kosovës u përshkallëzuan të hënën mbrëma, pasi ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara nuk u hodhën në votim në lexim të dytë.
Protestuesit, të cilët kërkonin miratimin përfundimtar të ndryshimeve në ligj, hodhën mjete piroteknike në drejtim të objektit të Kuvendit, ndërsa Policia e Kosovës reagoi me gaz lotsjellës dhe topin e ujit për t’i zmbrapsur ata dhe për të mundësuar largimin e deputetëve nga objekti.
Protestuesit kishin bllokuar daljen e deputetëve, duke kërkuar që ata të mos largoheshin pa e votuar projektligjin edhe në lexim të dytë. Situata u tensionua më tej kur disa protestues u përleshën me Policinë.
Sipas Policisë së Kosovës, gjashtë zyrtarë policorë u lënduan gjatë përleshjeve, ndërsa 11 qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore. Tre protestues u shoqëruan në stacion policor për procedura të mëtejme.
Policia tha se përdori gazin lotsjellës dhe topin e ujit pasi protestuesit hodhën mjete piroteknike dhe sende të forta në drejtim të institucioneve dhe zyrtarëve policorë. Sipas saj, gjatë protestës u shkaktuan edhe dëme materiale, përfshirë dëmtimin e objekteve dhe djegien e kontejnerëve të mbeturinave.
Ndërkohë, kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, tha se ishte lënduar nga gazi lotsjellës. Ai tha se Policia e kishte tërhequr dhe i kishte dhënë ndihmë, ndërsa bëri të ditur se edhe dy veteranë të tjerë kishin marrë lëndime, njëri prej tyre pasi ishte goditur në kokë nga një bombol e gazit lotsjellës.
Përplasjet ndodhën disa orë pasi Kuvendi e kishte miratuar në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Projektligji mori 91 vota për, pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim.
Megjithatë, gjatë ditës nuk u arrit marrëveshje politike për votimin e tij në lexim të dytë. PDK-ja ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti e kishte kushtëzuar votimin e dytë me zgjedhjen e presidentit, ndërsa LVV-ja kërkoi që fillimisht të zgjidhej presidenti.
Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon të martën, më 6 tetor. Nëse presidenti nuk zgjidhet, vendi mund të shkojë në zgjedhje brenda 45 ditësh.
Pas zhvillimeve të mbrëmjes, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së u bëri thirrje qytetarëve dhe kategorive të dala nga lufta që të mblidhen sërish të martën në mëngjes në sheshin e Prishtinës.
“Nesër, mëngjesi duhet të na gjejë të gjithëve në sheshin e Prishtinës. Të bashkuar dhe me dinjitet, për të mbrojtur atë që është e jona dhe për të dëshmuar se UÇK-ja na bashkon”, thuhej në thirrjen e OVL-UÇK-së.