Policia holandeze shpërndau të shtunën disa qindra protestues të krahut të djathtë ekstrem në Hagë, pasi protesta kundër politikave të emigracionit dhe azilit u përshkallëzua në dhunë.
Policia arrestoi disa persona pasi disa prej protestuesve nisën të hidhnin fishekzjarre dhe sende të tjera në drejtim të forcave të rendit.
Ministri holandez i Drejtësisë, David van Weel, kërkoi një reagim “jashtëzakonisht të vendosur” ndaj protestës, të cilën e përshkroi si skena “të neveritshme”.
Në një reagim në rrjetin social X, van Weel tha se disa demonstrues kishin bërë përshëndetje naziste, kishin brohoritur slogane antisemitike, kishin sulmuar policinë dhe kishin hedhur fishekzjarre në drejtim të efektivëve të policisë së trazirave.
“Faleminderit të gjithë policëve që edhe një herë po qëndrojnë në mbrojtje të shtetit tonë demokratik dhe të së drejtës”, shkroi ai, raporton The Guardian.
Komuna e Hagës ndaloi marshimin e planifikuar pasi në mesin e protestuesve të mbledhur në Malieveld, një park në qendër të qytetit, shpërthyen përleshje. Më pas, autoritetet urdhëruan turmën të shpërndahej.
Protesta e së shtunës u shoqërua me trazira, rreth një vit pasi në Hagë shpërthyen përleshje gjatë një tjetër proteste të krahut të djathtë kundër emigracionit.
Gjatë përleshjeve të atëhershme, një makinë policie u dogj, ndërsa protestuesit, disa prej të cilëve të veshur me të zeza, u përplasën me policinë. Gjithashtu, u sulmua edhe selia e partisë centriste D66, e cila aktualisht drejtohet nga kryeministri Rob Jetten.